Home KRYESORE COVID TREGOI SE SISTEMI SHËNDETËSOR DUHET AKOMA DHE DUHET TENTUAR TË RINGJALLET.

COVID TREGOI SE SISTEMI SHËNDETËSOR DUHET AKOMA DHE DUHET TENTUAR TË RINGJALLET.

Nga Erion Dasho

Para epidemisë së COVID, kisha hequr çdo shpresë se sistemi shëndetësor në Shqipëri mund të rregullohej ndonjëherë.

Në 1990-ën trashëguam një sistem me cilësi mizerabël, por të paktën “vinte era” sistem. Nga 1990-a e këtej, vetëm kemi shkatërruar dhe sot jemi:

  1. Ndoshta i vetmi vend europian pa strategji të zhvillimit të sistemit shëndetësor.
  2. Vendi i fundit në Europë nga numri i mjekëve për banorë (i parafundit është Taxhikistani që ka 50% mjekë më shumë se ne).
  3. Vendi ku spitalet rajonale (për të mos folur për ato lokale) po atrofizohen çdo ditë. Në qytetin tim, shumë specialitete mbahen gjallë nga mjekët e dalë në pension që vazhdojnë akoma punën.
  4. Në sistemin shëndetësor shqiptar, të vendit kandidat për të hyrë në Bashkimin Europian, nuk ka protokolle mjekimi, nuk ka medikamente, nuk ka sigurime shëndetësore funksionale.
  5. Në sistemin shëndetësor shqiptar, reforma fundit (e pjesshme edhe ajo) është zbatuar në vitin 1993.
  6. Deri para pak vitesh sistemi shëndetësor ishte parë si lopë për t’u mjelë nga të korruptuarit e “vegjël” nga brenda sistemit dhe nga një pjesë e vogël e personelit mjeksor që kanë vepruar në vite si xhambazë të vërtetë. Sot, sistemi po milet edhe nga oligarkët. Ky është problemi më i madh dhe ndoshta i pakalueshëm. Oligarkët ja “ndjenë lezetin” sistemit shëndetësor dhe nuk do të shkulen kollaj prej aty. Ata kanë potencialin t’i japin sistemit “colpo di grazia”-n e famshme.

Çfarë ndryshoi COVID-i?

  1. Në radhë të parë u ndërgjegjësuan politikanët dhe shoqëria se na duhet EDHE sistemi shëndetësor. Qarkullojnë fjalë se pasanikët e vendit rendën të gjithë drejt një spitali privat për të “ruajtur kokat” nga COVID, por thashethemet po ashtu flasin se ky plan dështoi.
  2. Sistemi doli zbuluar. Ndonëse ne kemi 8.000 shtretër spitalorë në gjithë vendin, vetëm dy spitale universitarë u përzgjodhën për të trajtuar pacientë me COVID. Shteti nuk u besoi strukturave të veta sepse e di që aty mungojnë mjekët, mungojnë pajisjet, mungojnë medikamentet, pra “spitali” ekziston si binà, ka edhe park të bukur rreth e qark, ka edhe mure të lyer por NUK ËSHTË SPITAL. Pra sistemi doli lakuriq si mbreti i përrallës.
  3. Edhe oligarkët dolën lakuriq. Pak muaj para epidemisë së COVID, oligarkët përfituan koncesionin e radhës, sistemin e laboratorëve. Si për ironi, një sistem laboratorësh ishte qi që lipsej për të luftuar COVID-in me efiçiencë. Oligarkët natyrisht u fshehën dhe rezultati ishte dështim. Një laborator i vetëm në ISHP, me pak persona dhe i keqpaguar, përballoi i vetëm epideminë. Oligarkët janë për të pirë qumështin, jo për të ushqyer lopën, mos e harroni…

NË SE DIKUSH KISHTE AKOMA DYSHIME, EPIDEMIA E COVID TREGOI SE SISTEMI SHËNDETËSOR DUHET AKOMA DHE DUHET TENTUAR TË RINGJALLET.

Sot ishte koha e diagnostikimit, siç e quajmë ne mjekët. Do të mundohem që çdo javë të publikoj statuse mbi rrugëzgjidhjet e mundshme.

Gjatë kohës së epidemisë së COVID kam dhënë shumë këshilla që nuk janë dëgjuar. Nuk më ka ardhur keq për egon time, por më ka ardhur keq se disa nga ato që kam shkruar e thënë mund të kishin korrigjuar sadopak gabimet e shumta që u bënë.

Uroj që fjalët e mia dhe të kolegëve të mos bien në vesh të shurdhër…

Share: