Home KRYESORE Dalahäst– simboli suedez

Dalahäst– simboli suedez

Nga Gladiola Jorbus

Dalahäst ose kali Dala është një statujë tradicionale e gdhendur, e pikturuar e një kali prej duri, me origjinë nga provinca suedeze e Dalarnas (Dalekarlia).

Dikur, kali Dalekarlian është përdorur kryesisht si një lodër për fëmijë, por në kohët moderne është shndërruar në simbol të Dalarnës, dhe të krejt Suedisë në përgjithësi. Janë krijuar disa lloje të kuajve Dalekarlianë, me karakteristikat përkatëse sipas lokalitetit ku prodhohen.

Sidoqoftë, stili më i përhapur është ai i kalit të gdhendur në mënyrë të fuqishme dhe muskuloze, i pikturuar me ngjyrë të kuqe të ndritshme, me shumë detaje në parzmoren e tij të bardhë, të gjelbër, të verdhë dhe blu. Pararendësi i kalit Dala lindi në kabina të vogla, në thellësi të pyjeve, gjatë netëve të gjata të dimrit, para një zjarri ku digjeshin trungjet.

Duke përdorur mjete të thjeshta, përgjithësisht vetëm thika, skalitësit e drurit krijuan lodra për fëmijët e tyre. Ishte e natyrshme që lodrat predominuese ishin kuajt, sepse kali ishte i paçmueshëm në atë epokë, si një mik dhe punëtor i besueshëm që shërbente për të tërhequr ngarkesa të mëdha drush përmes pyjeve gjatë muajve të dimrit, dhe gjatë stinës së verës luante funksion të dobishëm në ferma.

Arti i gdhendjes dhe i pikturimit të kuajve të vegjël lulëzoi shpejt në shekullin XIX, pasi vështirësitë ekonomike në rajon frymëzuan prodhim më të madh të këtyre kuajve lodër, dhe ata u kthyen në një send të rëndësishëm për kryerjen e shkëmbimeve (një lloj kliringu).

Gdhendja e kuajve, edhe pse mund të kishte zanafillën si një aktivitet përmbushës gjatë muajve të gjatë e të errët të dimrit, rezultoi të ishte i vlefshëm dhe fitimprurës. Kuajt Dala fillimisht u tregtuan në këmbim të mallrave shtëpiake, por më pas skalitja, vizatimi dhe ngjyrosja e tyre u shndërrua në një industri të vërtetë familjare.

Familjet rurale vareshin nga prodhimi i kuajve për të jetuar dhe kjo aftësi artizanale e gdhendjes së kuajve u trashëgua brez pas brezi.

Gdhendja e kuajve Dala si mënyrë jetese mendohet të ketë filluar në fshatin Bergkarlås në Suedinë Qendrore, megjithëse edhe fshatrat Risa, Vattnäs dhe Nusnäs ishin gjithashtu qendra të përgatitjes së tyre.

Fshatrat ishin të përfshirë në artin e skalitjes së mobiljeve dhe të orëve të drurit, ndaj ka të ngjarë që copëzat e mbetura të drurit të përdoreshin për prodhimin e kuajve Dala. Fillimisht, ndërtimi i tyre ishte shumë i thjeshtë.

Ngjyrosja e tyre njëngjyrëshe, e bardhë ose e kuqe, u bë një praktikë e zakonshme në fillim të shekullit XIX. Dekori i kalit Dala u përsos me kalimin e viteve. Sipas një përrallë vendase, një piktor endacak në stilin kurbits u bë shkak që zbukurimi i kalit të merrte tjetër rëndësi. Kurbits është një simbol fantastik i pjellorisë bimore, bazuar në një kungull të legjendës biblike, i përdorur kryesisht për zbukurime në artin popullor suedez apo në mobilje. Kjo ishte një metodë shumë e njohur midis viteve 1720 dhe 1870.

Referencat më të hershme mbi shitjen e kuajve të drunjtë datojnë rreth vitit 1623. Në shekullin e 19-të, Stikå-Erik Hansson nga fshati Risa në famullinë e Morës prezantoi teknikën e pikturës me dy ngjyra, në të njëjtën furçë, që vijon të përdoret ende sot.

Në librin “Kuajt e drunjtë të Suedisë: nga art folklorik në simbol kombëtar”, autorja Anne Marie Rådström përmend se ky piktor i famshëm Dala është varrosur në një kopsht të vogël kishash në Nebraska, pasi kishte emigruar në SH.B.A. më 1887, në moshën 64 vjeçare duke e ndryshuar emrin e tij në Erik Erikson, pas mbërritjes në Amerikë.

Një tjetër gojëdhënë apokrifike ose me autenticitet të dyshimtë për kalin Dalekarlian thotë se ai u sendërtua në lodër kombëtare në vitin 1716, ku sipas legjendës, ushtarët besnikë të mbretit suedez Karli XII u strehuan në rajonin Dalekarlian dhe gdhendën lodrat si dhurata për mikpritësit e tyre.

Druri i cili shërben për gdhendjen e Dalahäst merret nga pyjet me pisha që rriten rreth Liqenit Siljan. Ai lloj druri është ideal për zdrukthtari dhe skalitje. Meqenëse këta kuaj gdhenden me dorë, nuk gjenden dy njëlloj. Realizimi i kalit Dala kërkon një proces pune sa estetik, aq dhe të përkushtuar. Ai mbetet një souvenir tejet domethënës, pa të cilin nuk mund të kthehesh nga Suedia.

Share: