Home KRYESORE Këshilltarja shqiptare në Kanada: Shqipëria mund të përfitojë qindra milionë euro nga...

Këshilltarja shqiptare në Kanada: Shqipëria mund të përfitojë qindra milionë euro nga kanabisi mjekësor

Nga Euronews Albania

Një muaj më parë, kryeministri Edi Rama risolli në vëmendje temën e legalizimit të kanabisit mjekësor, duke ndezur debate nëse Shqipëria mund të përballojë sfidat për kultivimin ligjor të kësaj bime. Rama deklaroi se qeveria po punon prej një viti për këtë projekt, ndërsa e cilësoi përdorimin mjekësor të kanabisit si një trend botëror. Sipas kryeministrit, Shqipëria është gati ta ndërmarrë këtë hap, pasi ka vënë në kontroll kultivimin e paligjshëm.

Anja Basha, e angazhuar në industrinë e kanabisit mjekësor prej tre vitesh si këshilltare në Kanada në kompaninë “Ministrial Consultin Group” thotë se nëse Shqipëria do të arrijë të ndërtojë një sistem funksional për prodhimin e kanabisit mjekësor, mund të përfitojë me qindra milionë euro. Znj. Basha është e angazhuar si konsulente për investigimin e produktit mjekësor dhe menaxhimin e lidhjeve midis prodhueseve dhe dyqaneve në Kanada. Gjithashtu është këshilltare e jashtme me qeverinë e British Columbia në zhvillimin e infrastrukturës për legalizimin e bimës për arsye rekreacionale.

Ajo tregon se, Kanadaja është rast i veçantë pasi atje është legalizuar përdorimin për arsye rekreacionale (argëtim) që prej vitit 2018, ndërsa kanabisi mjekësor është legalizuar që në 2003. Përdoret si medikament për disa dhimbje, duke filluar që nga dhimbjet kronike deri tek pacientët me sëmundje si kanceri apo të ngjashme. Anja Basha tregon se, duke e legalizuar kanabisin sjellë më shumë studime dhe ul sindromën e djallit që fshihej pas kanabisit për gati 100 vjet pasi në fakt kanabisi në shekuj është përdorur si njëlloj medikamenti alternativ.

“Çdokush që ka një sëmundje apo një simptomë mund të aplikojë për kultivimin e kanabisit për përdorim vetjak mjekësor, por nuk mund ta shesë. Licenca merret si për ta përdorur si vaj por edhe si bimë. Leja merret për të kultivuar deri në 200 rrënjë. Këtu pati abuzim, siç do të ketë gjithmonë abuzime kur ke të  bësh me lëndë të kontrolluara. U krijua njëlloj sistemi gri, e shitjes së kanabisit. Dhe kjo bëri që të shkohej dhe tek lejimi i përdorimit për rekreacion”, tregon znj. Basha.

Sipas këshilltares për kanabisin në kompaninë “Ministrial Consultin Group”, Shqipëria është shembull delikat pasi ka një reputacion të keq për kanabisin, ndaj duhen rregulla të forta. “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe shumë strikt në mënyrën se si do të ndërtohet sistemi i licencimit dhe nuk mendoj se shembulli i Kanadasë do të ishte shumë i mirë. Nuk do të ishte mirë që shtetit të ishte prodhues primar por t’ua kalonte fermerëve këtë të drejtë duke u dhënë licenca importi”, shprehet shqiptarja e cila punon me kompani të ndryshme në këtë industri, me fokus në përdorimin mjekësor të bimës.

Duke folur për karakteristikat e këtij tregu, Anja Basha tregon se kanbabisi nuk duhet të ketë plesticide kur prodhohet për përdorim mjekësor. Ndërsa fermat e mëdha arrijnë të punësojnë deri në 200 persona, ku disa prej të cilëve janë sezonale. Kurse për rritje e bimës nevojiten nga 8 deri në 12 javë. Sa i takon aspektit financiar dhe ekonomik që mund t’i sjellë Shqipërisë kjo industri, ajo thotë se mund të gjenerojë qindra milionë euro.

“Është një industri që potenciali i saj është shumë më i madh se sa ka arritur deri tani. Rekreacionali ka dorën e parë dhe sjell të ardhurat kryesore. Në një sistem funksional dhe të drejtë mundësi për të pasur përfitime ekonomike vendi dhe bizneset do të jetë me qindra milionë euro. Por nëse ka shkelje tregjet do të mbyllen”, përfundoi Anja Basha.

Share: