Home Gjeo-Ekonomia Kosova heq masat në kufi me Shqipërinë dhe mendon rinisjen e fluturimeve

Kosova heq masat në kufi me Shqipërinë dhe mendon rinisjen e fluturimeve

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të dielën, ka miratuar disa masa lehtësuese të rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se nga e hëna, qytetarët që hyjnë në Kosovë, përmes kufijve tokësorë, nuk do të detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë, por ata do të kontrollohen në kufi nga ekipet mjekësore, do t’u merren të dhënat, që më pas Qendrat e Mjekësisë Familjare, në komunat përkatëse do të monitorojnë gjendjen e tyre shëndetësore.

Zemaj tha se me këto veprime do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave, veçanërisht e qytetarëve që hyjnë në Kosovë nga Shqipëria dhe Lugina e Preshevës. Ai po ashtu kërkoi që të rritet numri i inspektorëve, të cilët do të monitorojnë nëse qytetarët, bizneset dhe institucionet e tjera, po respektojnë rekomandimet për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Po ashtu, nga 8 qershorit, Qeveria e Kosovës vendosi që të heqë orarin e kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Ministri Zemaj tha se këto lehtësime të masave po bëhen pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Ndërkaq, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi njoftoi se do të nisë konsultimet me Autoritetin e Aviacionit Civil, për të parë mundësinë e rinisjes së transportit ajror. Ai tha se do të konsultohet me kompanitë ajrore dhe do të shikojnë edhe praktikat e vendeve të tjera, për të parë se si mund të bëhet rinisja e fluturimeve.

Share: