Home KRYESORE Partia Socialiste e dogji përfundimisht kartën e Opozitës

Partia Socialiste e dogji përfundimisht kartën e Opozitës

Nga Elona Caslli

Partia Socialiste e tjetërsuar tashmë në Partinë e Rilindjes, e ka djegur tashmë kartën e opozitës. Rilindja si çdo forcë tjetër partiake, nuk ka lidhur një kontratë të përjetshme me pushtetin. Do të vijë dita që do duhet ta dorëzojë këtë të fundit dhe të ulet në karrigen e opozitës.

Të ulesh në karrigen e opozitës do të thotë të kesh të drejtën e denoncimit. Një opozitë e fortë është e domosdoshme në çdo vend. Rilindja mund të ulet në karrigen e opozitës, por a do të mundet vallë ta kryejë funksionin e opozitës në vend?! Dyshoj se jo.

Historiku i marrëzisë së Rilindjes do të shenjohet fort nga shembja e Teatrit Kombëtar, nga vjedhja e votës dhe nga korrupsioni në nivele të frikshme dhe nga lidhja e ngushtë me krimin.

A do të mundet vallë Rilindja të denoncojë nesër një çështje të trashëgimisë kulturore nga karrigia e opozitës?! Gjithmonë nëse do të ketë mbetur ende ndonjë çështje për t’u diskutuar nga kjo temë, pasi Rilindja po e shfarros trashëgiminë kulturore në vend.

A do mundet vallë Rilindja të denoncojë vjedhjen e votës, nga karrigia e opozitës kur të gjithë kemi qenë dëshmitarë të ngjarjeve dhe telefonatave rilindase për vjedhjen e tyre?

A do të mundet vallë Rilindja të denoncojë korrupsionin, kur korrupsioni ka qenë simboli i pangatërrueshëm gjatë qeverisjes së saj?

Rilindja nuk ka humbur veçse kuptimin e saj në pozitë, por ka humbur edhe kuptimin e saj në opozitë. Mund të jetë në opozitë në të ardhmen, por pesha e Rilindjes në opozitë do të jetë e barasvlershme me peshën dhe kuptimin e opozitës aktuale brenda në parlament.

Post Scriptum- Dhe më tepër më shqetëson pyetja se kush do ta kundërshtojë pushtetin në këtë vend, se pyetja se kush do ta marrë pushtetin në këtë vend.

Elona Caslli

Share: