Home KRYESORE Pas daljes nga burgu, ndërron jetë Nehat Kulla

Pas daljes nga burgu, ndërron jetë Nehat Kulla

Pak muaj pasi doli nga burgu, ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak Nehat Kulla. 67-vjeçari njihej edhe me nofkën “Gjenerali”, i cili në vitin 1997 krijoi një “komisariat policie” në zonën e “Kinostudios”.

Kulla ishte dënuar me 20 vjet burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi, ish-shoferi i ish-zv/ministrit të Arsimit, Halit Shamata. Kulla e ka vuajtur dënimin në burgun e Fushë-Krujës, që nga koha kur u arrestua në vitin 2005.
Disa javë më parë edhe vëllai i Nehat Kullës, punonjës në doganë humbi jetën për shkak të COVID-19.

Banda e Nehat Kullës

Banda u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mban të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetes edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.

Marrëdhëniet me politikën

Kundërshtarët politikë të Fatos Nanos publikuan një foto të tij në burg me Nehat Kullën, duke deklaruar se Nano kishte lidhje me kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë. Arrestimet dhe daljet e shumta nga burgu të Kullës i shtuan dyshimet për lidhje të ngushta të tij me politikën.

Nofka “Gjenerali”

Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora./ Opinion.al

Share: