Home Gjeo-Ekonomia Shefja e Bankës Qendrore Evropiane: Shpresoj të kemi kapërcyer pikën më të...

Shefja e Bankës Qendrore Evropiane: Shpresoj të kemi kapërcyer pikën më të ulët të krizës ekonomike

Shefja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde tha se eurozona me gjasë ka kapërcyer pikën më të ulët të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit (COVID-19).

Lagarde foli në samitin e organizuar nga Shoqata Evropiane e Biznesmenëve përmes internetit, duke theksuar se rimëkëmbja e ekonomisë do të jetë një çështje shumë e ndërlikuar dhe shtoi se rimëkëmbja nuk do të jetë e plotë dhe, siç tha ajo, transformuese.

Ajo paralajmëroi botën e biznesit që të marrë masat e nevojshme në rast të valës së dytë të virusit, të cilën tashmë e kanë paralajmëruar shumë ekspertë. Lagarde shpjegoi se tregtia globale do të ulet ndjeshëm dhe shtoi se të gjithë duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje njerëzve që janë goditur nga kriza ekonomike aktuale.

Në vijim theksoi se kriza ekonomike e shkaktuar nga COVID-19 ishte më e rëndë se kriza financiare 2008-2009, duke shtuar se do të marrë kohë që kursimet e tanishme të shndërrohen në investime dhe konsumi që do të çonte në ngritje të rritjes ekonomike. Duke potencuar se bankat qendrore zakonisht reagojnë shpejt dhe në kohën e duhur ndaj krizës ekonomike, Lagarde përsëriti se ata nuk hezitojnë të përdorin të gjitha instrumentet e mundshëm të BQE-së për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate krizës aktuale.

Ajo shtoi në fund se beson se udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) nuk do të mund të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për Fondin e shpëtimit më 17 korrik, qëllimi i të cilit është të lehtësojë krizën e shkaktuar nga COVID-19. Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva deklaroi në mes të qershorit se parashikimet e rritjes për ekonomitë, të cilat ajo do t’i publikonte këtë muaj, do të jenë më të këqija se të mëparshmet.

“Parashikimet për shumicën e vendeve do të rishikohen kah rënia dhe vetëm për disa kah rritja”, tha Georgieva në një fjalim në konferencën për rolin e FMN-së në ndërtimin e stabilitetit ekonomik në botë, të mbajtur në internet, të organizuar nga Instituti GLOBSEC me seli në Bratislavë.

Ajo tha se që nga Lufta e Dytë Botërore, asnjë krizë nuk ka pasur efekt kaq të fortë në nivel global si COVID-19. Georgieva më tej theksoi se të gjitha vlerësimet tregojnë se 170 ekonomi, përfshirë vendet evropiane do të përfundojnë këtë vit me të ardhura më të ulëta kombëtare për frymë në krahasim me ato të mëparshmet.

Drejtoresha e FMN-së rikujtoi se raporti nga prilli tregon se ekonomia globale është në rrugën e duhur për të regjistruar një rënie prej rreth 3 për qind këtë vit për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia. Ekonomia e SHBA-së shënoi rënie prej 5 për qind në tremujorin e parë të këtij viti për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit (COVID-19).

Departamenti i Tregtisë njoftoi se SHBA në periudhën janar-mars të këtij viti pësuan rënie ekonomike prej 5 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2019, që është në përputhje me pritjet. Të dhënat e publikuara në prill tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i SHBA-së shënoi rënie me 4.8 përqind në tremujorin e parë.

Top Channel

Share: