Home KRYESORE Shqipëria në vështirësi financiare prej COVID-19, por deputetët nuk falin dietat dhe...

Shqipëria në vështirësi financiare prej COVID-19, por deputetët nuk falin dietat dhe honoraret

Edhe pse i gjithë vendi kaloi një periudhë të vështirë financiare si pasojë e pandemisë  COVID, deputetët shqiptarë nuk kanë hequr dorë nga përfitimet.

Deputetët e Partisë Socialiste vendosën të heqin dorë nga gjysma e pagës së tyre mujore, duke e vënë në dispozicion të buxhetit të shtetit, për zbutjen e pasojave financiare nga virusi Covid-19. Deputetët iu bashkuan kështu nismës së qeverisë për përgjysmimin e pagës së ministrave, kryeministrit dhe anëtarëve të bordeve shtetërore.

Por në bazë të dokumenteve të siguruara nga tirananews.al, duket se ata kanë ruajtur të paprekur dietat, karburante, honorare etj.

Nga verifikimi rezulton se vetëm kryeparlamentari Gramoz Ruçi për muajin Mars përveç pagës nuk ka tërhequr as dietat, ndërkohë që për prillin ka marrë dietën në vlerën 1 mln lekë të vjetra.

Të gjithë deputetët e tjerë, duke përfshirë dhe ata të PS, si për marsin ashtu dhe për prillin, kanë tërhequr të plota dietat dhe përfitimet e tjera.

Pagesa e deputetit

Paga bruto mujore e deputetit është 156,770 lekë. Por çdo deputet paguan 10,894 lekë kontribut të detyrueshëm shoqëror, 2,665 lekë sigurim shëndetësor, 7,839 lekë sigurim suplementar si dhe 17,157 lekë tatim mbi pagën. Kështu që paga neto e deputetit, nëse nuk bën mungesa është 118,215 lekë.

 Ata përfitojnë pagesa dhe dieta të tjera që burojnë nga statusi i deputetit. Deputetët përfitojnë 60 deri në 100 mijë lekë në muaj pagesa për shpenzimet e telefonisë, shpenzime për karburant, dieta dhe honorare për pjesëmarrje në komisionet parlamentare. Pagesat për karburant dhe telefon janë fikse, konkretisht 40,000 lekë për karburant dhe 17 000 lekë për telefon për secilin deputet. Ndërkaq, 20 deputetë përfitojnë edhe 35,000 lekë në muaj për qira banese. Në varësi të aktivitetit parlamentar, në disa raste, të ardhura mujore të deputetit në total arrijnë deri në 3 mijë USD.  /tirananews.al

Share: