Home KRYESORE Cikël poezie nga Gladiola Jorbus

Cikël poezie nga Gladiola Jorbus

Pulitje sysh
Retë elegante vërshonin
mbi pandeminë e hipokrizisë.
Shpirtrat – të dehur pas epshesh tokësore
Mbyteshin në përqafime
të boshatisura dashurish.
Tronditëse…!
Sy të perënduar,
në ngërçe klithmash shurdhuese.
Dhe retë të mbarsura
me lutje të ngërthyera
botën gllabëronin,
në një pulitje sysh.

Epoka e dinozaurëve
Më mbaruan fjalët…
Tek ti u përmbytën
çastet dehëse të lumturisë.
Po iki…
Perënditë verbohen
nga vozitja hënore mbi ujëra të akullema.
I ngjaj muzgut të përgjumur,
trishtimit kapriçoz,
puthjes së lamtumirës.
Edhe dueli zemër – mendje u shua…
nga pasqyrimi gjigantesk i zhgënjimit.
Dashuria u zbeh, u zhbë…
si një krijesë prehistorike.
Për të mund të lexojmë
e ta hasim veç në libra,
njëlloj si epokën e dinozaurëve.

Komodina e vjetër
Në komodinën e vjetër
fshihen zbrazëtitë, puthjet e ndaluara,
trillet, premtimet e tua.
Gumëzhitja vjen nga mendja ime,
si mbrëmjet e mjegulluara
ku qiellin e shquan, në dritëhijet
e neonëve të shëtitores.
Melankolia – statuja kokëfortë
që nuk dridhet para askujt.
Stolis skajet e ndjenjës,
kujtimet e pezullta,
lumturinë në miniaturë,
stuhinë e fjalëve të pashprehura.
Dhe narracioni vetmitar i syve,
psalt për ëndrrën, që na vodhi jetën.

Share: