Home KRYESORE Biseda Rama-Lavrov për Bjellorusinë, Ambasada Ruse: Të mos ketë ndërhyrje

Biseda Rama-Lavrov për Bjellorusinë, Ambasada Ruse: Të mos ketë ndërhyrje

Ambasada ruse ka konfirmuar mbrëmjen e së enjtes, bisedën telefonike të Kryeministit shqiptar Edi Rama me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov.

Sikurse bën me dije njoftimi i Ambasadës, kjo telefonatë është kërkuar nga pala shqiptare për të diskutuar mbi situatën në Bjellorusi. Ambasada njofton se në këtë kontekst, Ministri rus është shprehur se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, pa ndërmjetësimin Europian.

“Më 20 gusht, me iniciativën e palës shqiptare, u zhvillua një bisedë telefonike midis ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të OSBE-së, Edi Rama. Palët diskutuan mbi situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së për të kontribuuar në zhvillimin e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës.

Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t`u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë, në mënyrë që të shmanget përvoja e trishtë e “ndërmjetësimit evropian” në Ukrainë në shkurt 2014. Bashkëbiseduesit rikonfirmuan rolin e rëndësishëm të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e brendshëm ukrainas, duke përfshirë nevojën për të përgatitur raporte objektive për atë që po ndodh në të dyja anët e linjës së kontaktit në Donbas”, thotë Ambasada në këtë njoftim.

Me këtë qëndrim Rusia duket se nuk do të tentojë të përfshihet në bisedime apo dialog në Bjellorusi duke e bërë më të vështirë realizimin e propozimit të OSBE. Kujtojmë se vetëm pak më parë, Presidenti francez Macron propozoi përfshirjen e Rusisë në bisedime dhe ndihmesën e BE ne proces.

Nga ana tjetër, nisur nga fakti që Putin e ka mbështetur dhe përshëndetur rizgjedhjen e Lukashenkos, duket se përfshirja e Rusisë do ta ndihmonte dialogun. Kujtojmë se vetëm një ditë më parë, Lukashenko refuzoi t’i përgjigjej telefonatës së kancelares Merkel. /Opinion.al

Share: