Home KRYESORE Rasti Gjovalin Loka dhe “turlia” politike me një person teknik të Policisë

Rasti Gjovalin Loka dhe “turlia” politike me një person teknik të Policisë

Nga Artur Nura

Pasi u konfirmua në detyrë drejtori i sigurisë për rendin e sigurinë publike Gjovalin Lokaj pati një sërë reagimesh politike nga opozita dhe nga individë të ndryshëm!

Parimisht, opozita është e qëndrës së djathtë dhe duhet të ketë një filozofi më liberale karshi modelit të “luftës së klasave” që formalisht e trashëgon e majta shqiptare, por nga një herë kur sheh reagime të tilla, të duket që nuk mund të shquash dot të majtën nga e djathta në Shqipëri!

Për opozitën shqiptare, apo të gjithë të shqetësuarit e “moralit të pastër antikomunist” në rastin e Gjovalin Loka, nuk kanë rëndësi 30 vitet e tij në policinë e shtetit të cilat në një histori plotë me korrupsion në Policinë e Shtetit (ku brenda parimisht futet dhe qeverisja e opozitës vetë) rezultojnë pa probleme, por paska shumë rëndësi gjetja e disa muajve në vitin 1991 kur Lokaj paska qenë pjesë e sigurimit famëkeq të shtetit!

Trupa e Vlerësimit mori vendimin pozitiv për zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në MB, apo Gjovalin Lokën, duke vlerësuar racionalisht relativitetin e faktit se oficeri i policisë rezulton me shkollë Sigurimi dhe pse jo, i titulluar oficer sigurimi sipas termave të kohës komuniste.

Po, për çdo punonjës të shtetit arsimimi është çështje shumë e rëndësishme dhe, në atë kohë siç sot është Akademia e Sigurisë si shkollë publike, ka qenë Shkolla e Sigurimit, sigurisht e politizuar nga partia shtet në atë botë.

Dje, profili i oficerit të Sigurimit, si punëtor politik partie kumuniste dhe profili i oficerit të Policisë nuk kanë patur ndonjë ndryshim cilësor të madh dhe këtë mund ta aprovojnë shumë nga ish të përndjekurit politik!

Në të gjitha rastet dihet botërisht se individi vetë është ai që i jep kahun zbatimit të ligjit sipas bindjeve të tij dhe sot, konfirmohet që edhe policët e thjeshtë të indoktrinuar bënin namin në atë botë dhe, më shumë se sigurimsat, kundër atyre që mbi quheshin të deklasuar!

Në fakt edhe sot, diferenca midis individëve që mbarojnë Akademinë e Rendit dhe atyre që mbarojnë Akademinë e Sigurisë për qytetarin e thjeshtë është me të drejtë fare e parëndësishme!

Rëndësi ka përgjegjshmëria e individit dhe në rastin e oficerit të policisë së shtetit Gjovalin Loka në 30 vite të vështira ku tregon integritet profesional është në më të paktën për tu pranuar dhe, komplimentuar në më të mirën.

Sigurisht mund të injorohen individët të cilët flasin në vetën e parë dhe me siguri me hatër mbetje personale, por jo opozita e qëndrës së djathtë e cila parimisht pretendon të qeverisë me model meritash dhe jo partiake militantesk!

Të mbivlerësosh pak muaj formal në vitin 1991 dhe, injorosh 30 vitet faktike të oficerit Gjovalin Loka kjo demostron vetëm mendësi komuniste ndoshta të pandërgjegjshme, por kurrësesi një model të ri qeverisje!

Në më të paktën, kjo është “një turli” politike e cila ngjason me luftën e dikurshme të klasave që bënte partia komuniste! Armiqtë e klasës punëtore sado të zotë të ishin duheshin vetëm ndëshkuar, burgosur dhe pushkatuar!

Opozita duhet ti thërrasë mëndjes së hapur sa më parë se, pastaj demostrojnë që nuk janë të ndryshëm nga këta që po qeverisin dhe nuk do i bindin dot njerëzit e lirë ti votojnë.

Njerëzit e ndershëm dhe punë plotë duhen përgëzuar dhe motivuar që të punojnë më shumë e më mirë dhe jo të dekurajohen.

Puritanizmi nuk i shkon askujt në politikën e katyre 30 viteve…

Share: