Home KRYESORE Historiani: Avni Rustemi e vrau Esatin për para, asnjë motiv patriotik

Historiani: Avni Rustemi e vrau Esatin për para, asnjë motiv patriotik

Dekorimi i Avni Rustemit nga Presidenti Ilir Meta me motivacionin se ai asgjësoi armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes se pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar, ka sjell reagimin e historianit Kastriot Dervishi.

Sipas tij veprimet e Avni Rustemit nuk janë motivuar nga patriotizmi por nga paraja.

Ai sjell kujtime të Sejfi Vllamasit ku thuhet se “Avni Rustemi është ofruar kundrejt pagesës për të vrarë Esatin në interes të kundërshtarëve të tij politikë”.

Postimi i plotë i Kastriot Dervishit

“Avni Rustemi, patrioti i parasë

Vrasja e Esat Toptanit në Paris më 13 qershor 1920, u porosit nga Tirana, nga krahu kundërshtar i viktimës. Nuk ka përveçse konkurrencës politike asnjë motiv patriotik. Ajo lidhet me prishjen e kompromisit të arritur në fillim të vitit 1920, i cili e bënte Esatin pjesë të qeverisjes. Në mars 1920, përkrahësit e Esatit, me anë të Osman Balit, i bënë presion të armatosur (po pa vrarë njeri) qeverisë që të hynte në bisedime me Esatin.

Më 15.4.1920 në pamundësi për të përballuar forcat proesatiste, parlamenti vendosi dërgimin e një delegacioni në Paris për bisedime me Esatin, të përbërë nga imzot Gjergj Koleci, Ymer Deliallisi, Fuat Toptani dhe Bajram Fevziu, shpërndarjen e popullit ditën e bërjes së ditur të kësaj deklarate, falje për ata që morën pjesë në kryengritje dhe dënimin e të pabindurve.

Pikërisht në fazën e bisedimeve, Avni Rustemi ofrohet kundrejt pagesës për të vrarë Esatin në interes të kundërshtarëve të tij politikë. Se çfarë mund të bënte Osman Bali me forcat e tij, kjo mbetet hipotetike dhe e paqartë.

Por nëse Bali nuk do të bënte veprime të tilla, Esatin as do ta ngiste njeri atje ku ishte dhe as do dëgjonim kurrë përralla me “tradhti” ndaj tij. Momentin e paraqitjes së Avni Rustemit, e kujton Sejfi Vllamasi.

Kujtimet e Sejfi Vllamasit:

“Avni Rustemi vazhdonte mësimet në Romë. Një ditë shkon në shtëpinë e Tefik Mborjes, inspektor i studentëve shqiptarë në Itali (në fakt ishte kryesekretar i përfaqësisë shqiptare në Romës-shënim) dhe i thotë këtij se kishte vendosur të vriste Esatin për të shpëtuar Shqipërinë, por i duheshin të hollat për shpenzimet e mëvonshme.

Në atë kohë kish ardhur nga Tirana në Roma një delegacion miks qeveritar-esatit, i cili ishte në udhëtim për në Paris, për të takuar Esatin.

Tefik Mborja e takon Bajram Fevzinë, anëtar i atij delegacioni, i kallëzon vendimin e Avniut për Esatin dhe B.Fevziu i jep fjalën se do t’i shkruajë Xhavit Leskovikut në Tiranë, duke përkrahur tezën e Avniu, ashtu edhe për ndihmë të hollash që ai do kishte nevojë.

Avniu zbret në Durrës më 5 maj 1920 me letrën e Bajram Fevziut për Xhavit Leskovikun dhe me letrën e Tefik Mborjes për Qazim Kokoshin. I furnizuar me mjetet e nevojshme dhe i përcjellë nga Tefik Mborja, Avniu niset për Paris dhe mbas disa ditësh kryen mision e tij, bash më çastin vendimtar, në çastin e kryengritjes së stilit të gjerë që kish përgatitur Esati”.

Share: