Home Gjeo-Ekonomia Hoti dhe Vuçiç në Bruksel: Dokumentet e nënshkruara në Washington, të dobishme...

Hoti dhe Vuçiç në Bruksel: Dokumentet e nënshkruara në Washington, të dobishme për marrëveshjen gjithëpërfshirëse

Në Bruksel zhvillohet kete te hene takimi në nivelin e lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian ka lëshuar një deklaratë të përbashkët të kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në këtë deklaratë thuhet se të dyja vendet u zotuan se do të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar përafrimin e mëtejshëm me BE-në, në përputhje me detyrimet përkatëse, transmeton Telegrafi.
“Në këtë drejtim, dokumentet e nënshkruara së fundmi në Washington, DC, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme lidhur me dialogun të ndërmarra nga të dy palët, mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në deklaratë.
Takimi i 7 shtatorit në Bruksel vjen pasi më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë arritën marrëveshje për normalizimin ekonomik. Marrëveshja, u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Para takimit të sotëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për çështje të Ballkanit, Matthew Palmer.

Top Channel

Share: