Policia ka arrestuar mbrëmjen e së martës, Lajden Kadillin, i cili ishte në kërkim për një sërë veprash penale.
Sipas informacioneve zyrtare nga policia, 27-vjeçari po lëvizte me automjetin e tij pranë zonës së pallatit me shigjeta. Në momentin që ai ka parë pikën e kontrollit që ishte ngritur nga policia ka ndaluar makinën dhe është larguar me vrap.
Menjëherë punonjësit e Policisë së forcës së posaçme “Shigjetat” janë vënë në ndjekje të Kadillit, i cili kur ka parë që po e ndiqte Policia ka hedhur në një kosh armën e zjarrit dhe është larguar me shpejtësi.
Pas afro 10 minuta ndjekjeje, “Shigjetat” kanë kapur dhe prangosur shtetasin, 27 vjeçarin i cili është banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit tip pistoletë me fishek në fole gati për qitje dhe një krehër me fishekë luftarak.
Në 11 shtator 2019, Lajden Kadilli, u shpall në kërkim, me vendim të gjykatës së Tiranës. Vendimi për shpalljen në kërkim të Kadillit është marrë pasi prokuroria e Tiranës e akuzon 26-veçarin për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë në dëm të Gentian Rrahmanit dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake dhe municionit”.
Gjithashtu ndaj këtij shtetasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka dërguar për ekzekutim urdhër-ndalimin në mungesë pasi ka kanosur me armë djalin e deputetit të PS në Durrës, Spartak Braho dhe i ka thyer xhamin e makinës. Për këtë episod ai akuzohet për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë të rendit publik” dhe “Armëmbajtje pa leje”./ Opinion.al