Home KRYESORE COVID-19 në Britaninë e Madhe, Johnson prezanton 3 nivelet e emergjencës

COVID-19 në Britaninë e Madhe, Johnson prezanton 3 nivelet e emergjencës

Britania e Madhe është përballur ditët e fundit me rritje të ndjeshme të numrit të personave të prekur nga COVID-19.

Referuar situatës, kryeministri, Boris Johnson, duke iu adresuar ligjvënësve në Dhomën e Komunëve, bëri me dije se nuk do të ketë izolim të ri kombëtar dhe as mbyllje të shkollave e universiteteve, por një ndërhyrje me tre nivele, sipas shkallës së përhapjes së infeksionit.

“Nuk mund të lejojmë që sistemi ynë shëndetësor të kalojë në kolaps. Do të jenë muaj të vështirë, por do të mundemi t’i kalojmë”, tha kryeministri.

Niveli mesatar i alarmit do të përfshijë të gjithë Britaninë dhe konsiston në kufizimet që janë aktualisht në fuqi, si grumbullimi i jo më shumë se 6 personave dhe mbyllja e bizneseve pas orë 22:00.

I larti do të shtojë më tej kufizimet dhe ndërhyrjen e autoriteteve duke ndërprerë transmetimin e Covid-19. Ndërsa shpallja e nivelit shumë të lartë do të nënkuptonte kufizimin e takimeve publike dhe private mes qytetarëve dhe mbylljen e plotë të bareve e pub-eve.

Qeveria e Johnson do të garantojë dhe një paketë financiare prej rreth 1.4 miliardë euro për të ndihmuar bizneset që do të preken nga këto kufizime.

Share: