Home KRYESORE Dy fjalë për Nismëtarët e Thurjes! Nga Elona Caslli

Dy fjalë për Nismëtarët e Thurjes! Nga Elona Caslli

Kryefjala e çdo ligjërimi nga Nismëtarët e Thurjes dhe mbështetësit e tyre, përbëhet nga mbledhja e një numri të caktuar firmash nga shqiptarët për të ndryshuar sistemin. Sipas Nismëtarëve të Thurjes një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve e duan këtë ndryshim. Deri këtu jemi në rregull.

Dita e djeshme na përballi as më shumë e as më pak, veçse me pamjen e një gruaje të çoroditur që shkulte mikrofona dhe përplaste grushta mbi foltoren e parlamentit dhe përpiqej me aq sa mundej, të vinte në skenë rolin në një teatër absurd, i cili kulmoi me abstenimin e gruas së çoroditur gjatë procesit të votimit për miratimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor.

Hajdari është fytyra e kauzës së ndryshimit të sistemit dhe listave të hapura në atë parlament. Nismëtarët e Thurjes bashkëpunuan fort me deputeten në fjalë dhe u zotuan se ajo çka dikur ishte e pamundur, tani po bëhej realitet dhe së fundmi vullneti i shqiptarëve që kishin firmosur po përmbushej.

Ajo çka të bie në sy nga dita e djeshme, është se nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga Nisma Thurje lidhur me abstenimin e zonjës Hajdari. Përkundrazi ky fakt nuk përmendet në asnjë deklaratë zyrtare sikundër nuk ka asnjë distancim publik përmes një deklarate.

Meqënëse Nismëtarët e Thurjes pretendojnë se do të ndërtojnë Shqipërinë me standardet e Oksfordit, duhet të jenë të ndërgjegjshëm se për respekt të firmëtarëve shqiptarë, nuk duhet ta kishin kaluar në heshtje abstenimin e Hajdarit, pasi mbajnë përgjegjësi si Nismëtarë të Thurjes dhe si udhëheqës hipotetikë në të ardhmen.

Nismëtarët e Thurjes tashmë duhet të pranojnë faktin se nuk vlen më fjalia, se ajo çka dikur ishte e pamundur tani po bëhet realitet, sikundër nuk vlen më as hipoteza se qëndrimi në parlament të mundëson t’i ndryshosh gjërat dhe jo dalja jashtë tij, pasi ngjarja e djeshme dëshmoi qartazi se opozita parlamentare është sa për inventar dhe sa për t’i mundësuar Ramës shkeljen e çdo lloj marrëveshjeje apo kushtetute.

Në portale qarkullon lajmi se zonja Hajdari është përjashtuar nga Nisma Thurje. Duke qenë se Nisma Thurje pretendon se sillet dhe vepron me standardet e Oksfordit, duhej minimalisht të ndiqte një protokoll të caktuar në marrjen e një vendimi.

Ndonëse nuk jam diplomuar në Oksford dhe nuk jam anëtare e asnjë partie në vend, hamendësoj se kur merret një vendim i tillë, dilet në një konferencë për shtyp me një deklaratë të caktuar që lexohet nga një përfaqësues i kësaj partie. Në deklaratë pasqyrohet struktura përkatëse brenda partisë që e ka marrë këtë vendim, sikundër nënvizohet edhe motivi i këtij vendimi.

Ky duhet të jetë në parim, protokolli që duhet të ndjekë një parti që pretendon të sjellë standardet perëndimore në qeverisje.

Kjo mungesë e theksuar serioziteti në trajtimin e kësaj situate, më risjell ndërmend përgjigjen që dha një nga Nismëtarët e Thurjes teksa e pyetën se nga financohej Nisma Thurje.
“ U kërkuam mbështetje financiare shqiptarëve për t’u vërdallisur në Shqipëri, për të ndarë disa ide dhe ata na mbështetën”.

Post Scriptum- Para se të premtoni standardet e Oksfordit për Shqipërinë, bëni mire t’i zbatoni këto të fundit për partinë.

Share: