Home KRYESORE Gazetari: Afera e dyfishtë e incineratorit!

Gazetari: Afera e dyfishtë e incineratorit!

Nga Klodian Tomorri

Në qershor të vitit 2015, qeveria miratoi një vendim, i cili detyron shoqëritë e ndërtimit, por edhe qytetarët privatë, që akumulojnë mbetje inerte, t’i dorëzojnë ato në landfille. Në pikën 15 të vendimit, thuhej se dorëzimi i mbetjeve bëhej kundrejt tarifës së propozuar nga operatori dhe të miratuar nga njësia vendore.

Në atë kohë askush nuk e kuptoi se çfarë po luhej, madje as vetë ndërtuesit. Landfilli i Sharrës ishte ende shtetëror, ndërsa venddepozitimet e përkohëshme funksionin pa pagesë. Por vendimi ishte me qitje të largët dhe synonte krijimin e një biznesi gjigand, por edhe unik në botë; monopolin e dherave.

Në fund të vitit 2017, qeveria miratoi kontratën e koncesionit për incineratorin e Tiranës. Pak muaj pasi landfilli i Sharrës kaloi në menaxhim privat, policët e Erion Veliajt dhe inspektorët e mjedisit u vërsulen në tufa në të gjitha kantieret e ndërtimit. Arsyeja e ofensivës ishte detyrimi i ndërtuesve që dherat e dala nga gërrmimet t’i dorëzonin në landfillin e Sharrës. Por jo falas. Për çdo ton dhe të dorëzuar në landfill, ndërtuesit duhet t’i paguajnë koncesionarit të Sharrës tarifën 480 lekë, ndërsa për inertet e tjera të ndërtimit paguhet 900 lekë për ton.

E gjithë procedura se si u propozuan dhe u miratuan tarifat u mbajt larg syve të publikut. Por prej dy vitesh, Bashkia e Tiranës ka ngritur në këmbë monopolin më grabitqar dhe më absurd në historinë e njerëzimit.

Nëse një ndërtues ka dy kantiere paralele ndërtimi, në njërin prej të cilëve nxjerr dhe nga toka, ndërsa në tjetrin ka nevojë për mbushje, ai nuk mund të transportojë dheun nga kantieri i parë tek i dyti. Për ta bërë këtë ka vetëm një zgjidhje. Dherat e nxjerra nga kantieri i parë duhet t’i depozitojë në landfill duke i paguar koncesionarit 480 lekë për çdo ton. Më pas të njëjtin dhe që e dorëzoi ta blejë nga koncesionari duke paguar sërish tarifë. Me pak fjalë, Bashkia e Tiranës ka ngritur një monopol, i cili detyron qytetarët të paguajnë edhe kur shesin edhe kur blejnë.

Ky është një biznes gjigand, i cili luan miliona euro në vit. Dhe gëzon mbrojtje të fuqishme shtetërore. Monopoli nuk ndalet vetëm tek shoqëritë e ndërtimit, por shtrihet kudo, edhe tek individet. Nëse një qytetar hap një gropë në oborrin e tij privat, gjasat janë që brenda 10 minutave aty të mësyjë mënjehërë policia bashkiake për ta detyruar që të transportojë dheun në landfill.

Aq e fuqishme është mbështetja e Bashkisë për këtë biznes, sa që mes ndërtuesve qarkullon një anektodë. Vendi më i sigurtë sot në Shqipëri është te jesh afër një kantieri ndërtimi ose një kamioni që transoporton dhe. Minimalisht, pas kamionit do të jenë dy makina të policisë Bashkiake, të cilat kanë vetëm një detyrë. Ta përcjellin kamionin në landfill derisa të paguajë paratë tek koncesionari.

Bashkia e Tiranës është aksionerja kryesore e ujësjellësit. Por mbi 60 për qind e ujit në Tiranë, nuk tarifohet, pasi vidhet ose humbet në rrjet. Në landfillin e Sharrës, aksioneri është privat. Por falë policisë bashkiake, në Tiranë nuk humbet asnjë ton dhe i patarifuar. Kjo i thotë të gjitha.

Por absurdi nuk ndalet këtu. Darët e monopolit të dherave nuk bien vetëm mbi ndërtimet private, por edhe ato publike. Sot qytetarët e Tiranës paguajnë tarifën e dheut për çdo rrugë, shkollë, spital apo çdo vepër tjetër publike që ndërtohet. Kjo është dhe një nga arsyet kryesore se pse sot gërrmohet në çdo cep të Tiranës. Për të ushqyer monopolin më absurd të ngritur ndonjëherë në historinë e njerëzimit me arkitekt Bashkinë e Tiranës.

Share: