Home KRYESORE KULLA E SAHATIT DHE NE DËSHMITARËT PA KOHË

KULLA E SAHATIT DHE NE DËSHMITARËT PA KOHË

Nga Arlinda Çausholli

Ditët e fundit, kur shifrat e pandemisë kanë filluar disi të ulen, një gjë tjetër ka filluar të ngrihet në mes të Tiranës. Kush kalon përbri Kullës së Sahatit, dallon ca mure të reja që thuajse po i ngjiten mureve gati 200 vjeçare që kanë marrë pamjen e fajtorit në vend të lartësisë dinjitoze që kishin. E po i ngjiten kaq shumë, sa të kap ankthi. Tirana u ka hapur dyert shumë shqiptarëve nga të gjitha trevat, ndër ta edhe mua, ndaj aciditeti në stomak është i justifikueshëm dhe besoj, reaksionin kimik e ndaj me të gjithë ata që ende besojnë në histori, Shqipëri, në kujtesë dhe në ruajtje të vlerave që janë jo vetëm simbol i Tiranës, por i gjithë kombit.

Gjatë dy shekujve histori, Kulla e Sahatit ka qenë emblemë kohe dhe bashkimi. Bashkoi idenë e Haxhi Et’hem Beut që filloi ndërtimin e saj në vitin 1822 me ustallarët më të mirë nga Dibra, nga treva e Gollobordës, bashkoi artin e sahatçinjve te familjes Tufina që vunë mekanizmin e ri rreth atyre viteve, dhe me vone diku nga vitet 1946, mbajti mekanizmin e Sahatit të Kishës së Madhe të Shkodrës që u montua me mjeshtëri po nga Tufinajt, meqë kulla dhe këmbora u dëmtuan gjatë luftës.

A mbaron babëzitja ndonjëherë? A ka emra të historisë që u dhemb një mur a një flamur? A nuk është më mirë, që të përfshihen banorët e këtij qyteti në vendime që mund të shpëtojnë monumente, faji i vetëm i të cilave është se nuk janë në shijen e individëve që kanë vendimarrje ngrehinash monstruoze, të shtrenjta dhe kërcënuese?

A ka njerëz ky vend që mund të mblidhen dhe të risjellin në jetë Kullën e Sahatit, që rrënjët e saj mos të jenë të detyruara të lidhen me trarë që të mbrohen nga shembja? Arkitektët, studentët e arkitekturës a duhet të mbyllin sytë apo t’i hapin qepallat me guxim që muret e reja të shtyhen të paktën metra tutje…apo të kapërcehet muri i indiferencës? Ku janë zërat e trashëgimisë dhe dashurisë për njerëzit që punuan e u rropatën për të ruajtur ca monumente që vendit i duhen sa për të na kujtuar se nga vimë, dhe për të na alarmuar ku po shkojmë…

Kam shumë pyetje, por asnjë përgjigje. Vetëm një mendim. Indiferenca shoqërore vret më shumë se çdo individ.

Arlinda Çausholli
#ndermejtime

Share: