Home KRYESORE Ngritja e BKH/ Procesi shkon në Gjykatë, akuza për mungesë transparence

Ngritja e BKH/ Procesi shkon në Gjykatë, akuza për mungesë transparence

Teksa procesi për përzgjedhjen e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimi është drejt fazave të fundit, një padi e paraqitur në Gjykatën Administrative mund ta pezullojë atë.

Padia ka ardhur nga njëri prej aplikantëve që është skualifikuar në testin fizik dhe pretendon se kjo është bërë padrejtësisht.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për Neës 24 se paditësi ka ankimuar procesin duke argumentuar se nuk është përcaktuar metodologjia e procesit të vlerësimit.

Në padinë e dorëzuar në gjykatë ai bën me dije se ndryshe nga dy fazat e mëparshme, BKH nuk ka publikuar asnjë udhëzim mbi mënyrën e pikëzimit të testit fizik.

“Në fazën e tretë, aplikantët duhet të kryenin testin fizik nga data 19.10.2020-22.10.2020 të ndarë në grupe prej 100 aplikantësh çdo ditë. Nga informacioni i publikuar në faqen zyrtare të BKH-së është kërkuar dokument identifikimi dhe vërtetim nga specialisti kardiolog, por asnjë udhëzim mbi mënyrën e pikëzimit. Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të BKH-së gjatë fazës së parë është bërë e ditur për të gjithë aplikantët në momentin që do të zhvillohej testimi fizik do të ishin këto norma, pompa ulje-ngritje, palosje, 300 metra sprint dhe 2400 metra vrap “Pa përcaktuar sasinë dhe kohën për të kryer këto norma”.”, shkruhet në padi.

Paditësi pretendon se procesi i testit fizik nuk ka qenë transparent krahasuar me testin logjik pasi sipas tij nuk është pasqyruar mënyra e përzgjedhjes së aplikantëve në testin fizik, duke dëmtuar imazhin e një institucioni që kërkon besimin e qytetarëve dhe do të luftojë korrupsionin në nivele të larta. Ai shton se rezultati i testimit fizik nuk është vlerësuar në moment por 3 ditë më pas.

Po kështu paditësi deklaron se lista e aplikantëve fitues të fazës së tretë është publikuar në faqen zyrtare të BKH-së më 23 tetor pas orës 16:00 dhe zhvillimi i fazës së katër më datë 26 tetor në orën 8:00, koha midis të cilave administrata publike e ka pushimin zyrtar dhe e pamundëson ankimin pranë organit që e ka administruar procesin. “Ky është dhe shkaku për mosadministrimin nga ana ime të dokumentacionit të nevojshëm për ta bashkëngjitur me këtë padi, dokumentacion të cilin kërkoj që Gjykata të urdhërojë palën e paditur gjatë gjykimit në themel që ta sjell.

Ai kërkon pavlefshmëri të fazës së tretë të përzgjedhjes së hetuesve të BKH-së për shkak të mungesës së transparencës dhe mospërcaktimit të minimumit të normave për kualifikimin e mënyrës së vlerësimit dhe përllogaritjes së pikëve nga ana e Komisionit të Përzgjedhjes për pozicionin hetues pranë BKH.

Paditësi ka vënë në dijeni për ankesën e tij edhe ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. /Opinion.al

Share: