Home KRYESORE PEIZAZH ME HËNË… Nga Rudina Çupi

PEIZAZH ME HËNË… Nga Rudina Çupi

Hape gojën si rrjetë fluturash e gjuhën ma rrëmbe!

Kam një vend për ty:
eja shpëto nga të gjitha hijet e ditës!
Ejmë në gojë
dhe me çokollatën prej gjuhe që shkrin
e bëhet bojë-e-penel,
zbulo se goja është peizazh për dy vetë;
ec e përkëdhel
zbulo stolat e bardhë e vënë qark si në skenë
dhe një teatër të butë shtrat në mes…
e sheh?
ka errësirën e duhur për dashuri,
e më tej
nëse gjuhën-fjollë e çon të zbulojë siç i takon
do të shohësh se ka një orkestër në grykë
që notën e parë të rënkimit luan në sol maxhor
mos ndalo…
ngjitu e shih se ka një kubè të harkuar qiellzë
sa nxë gjithë qiellin e pasqyrtë me vesë;
futu e zbulo
motin e të gjitha tangove të poezisë,
që kondensohet e rrjedh cepave të buzëve si pjalm
si lëngu i hënës së ngrënë, sapolyer me ar(t).

Share: