Home Gjeo-Ekonomia “Po krijon Shqipërinë e Madhe”, Rama-Vuçiçit: Dënojeni ministrin

“Po krijon Shqipërinë e Madhe”, Rama-Vuçiçit: Dënojeni ministrin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me deklaratën e bërë nga Ministri i Mbrojtjes serb Aleksandar Vulin, i cili tha se Rama po përpiqet që të krijojë “Shqipërinë  e Madhe”.

Në këtë deklaratë, ministri serb i është referuar diskutimeve dhe marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e dy qeverive Kosovë-Shqipëri ditën e djeshme.

Ndërkohë, në reagimin e tij Rama i ka kërkuar presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç që nëse kjo dekalratë është e vërtetë, duhet të ndëshkojë ministrin.

“Vucic, a është kjo e vërtetë apo është një meme që tallet me trurin e kulluar dhe gojën e ndyrë që e mbajti të gjithë rajonin tonë në errësirë për shekuj? Unë uroj shumë që të jetë një meme, përndryshe kjo do të ishte një shfaqje e dëshpëruar e të menduarit të mjerë që duhet ta dënoni pa asnjë dyshim“, shkruan Rama.

Ministri Vulin ndër të tjera në deklaratën e tij thekson se nuk mund t’i ndalohet serbëve ajo që u lejohet shqiptarëve.

Duke deklaruar se porti i Durrësit do t’i përkasë Kosovës, Edi Rama vazhdoi me përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”. Si gjithmonë, Bashkimi Evropian do të qëndrojë i heshtur dhe nuk do të bëjë asgjë. Shiptarët lejohen të bashkohen dhe të kapin territoret e njerëzve të tjerë, por serbët nuk lejohen të bashkohen as në vendin e tyre.

Kjo është një përsëritje e një gënjeshtre se “Shqipëria e Madhe” është një Shqipëri e natyrshme dhe Serbët e bashkuar në një shtet janë një kërcënim për paqen. “Shqipëria e Madhe” është një paralajmërim i një katastrofe të madhe, ndarja dhe shkatërrimi i shteteve dhe kombeve në Ballkan. Vetëm serbët e bashkuar mund të ndalojnë “Shqipërinë e Madhe” dhe sa më shpejt të bashkohemi institucionalisht, aq më shpejt koha e paqes do të fillojë në Ballkan. Ju nuk mund t’i ndaloni serbët të bëjnë gjërat që u lejoni shqiptarëve”, shprehet Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin duke komentuar deklaratat e Ramës nga mbledhja me Kosovën./ Opinion.al

Share: