Home KRYESORE Sarkazma nga Prishtina: Klasa e vdekur në Tiranë…dhe ca pika shiu…

Sarkazma nga Prishtina: Klasa e vdekur në Tiranë…dhe ca pika shiu…

Nga Kimete Berisha

  1. Kohëve të fundit, Ilir Meta po përbishtohet dhe shoqërohet veç me komunitetin e të vdekurve dhe i ka shpeshtuar ‘takimet’ me ta.
    Kryesisht preferon të ketë afër vetes heronj, se të vdekurit gjithmonë janë njerëz të mirë, sepse ata nuk ta prishin qejfin, nuk të kundërshtojnë kur flet në emër të tyre dhe mbështetesh në ta.
    Kish qenë mirë që Ilir Meta ta nxjerr nga të vdekurit ndonjë sekret të armikut, s’i t’ia bëj ta mundë Edi Ramën në zgjedhje, por problemi është se ‘të vdekurit mund të na dëgjojnë, por s’mund të na flasin, kurse Ilir Meta mund t’u flas atyre, por s’mund t’i dëgjojë.
    Pas tre vitesh ndarje, tha, jam
    bashkuar me fotografinë e Isa Boletinit.
    Nëse është ndjerë kaq i vetmuar dhe i humbur pa të, pse nuk e ka mbajtur në kuletë fotografinë e Isa Boletinit, por e ka pritur Gramoz Ruçin t’i ndihmojë të ribashkohet me heroin.
    A është budalla që kujton se mërzitet kush a është ky patriot a jo, apo kujton se i ndihmojnë heronjtë e vdekur të mbetet gjallë, nuk e di.
    Mua më duket budalla, i dalë mode, sepse prej se VIP-at u bënë patriotë, patriotizmi nuk është më interesant për shqiptarët.
    Ilir Metës nuk i kujtohet se heronjtë nuk arritën ta shpëtojnë veten prej armikut, dhe u vranë në prita, jo po çohet Isa Boletini prej varri me shpëtu Ilir Metën prej Edi Ramës.
    Ilir Meta kujton që edhe Isa Boletini u gëzua që u ribashkua me të (pa e pyetur Isën), por Isa Boletini s’besoj se ende e ka zbuluar vrasësin e vetë, jo e paska rrokë gajla e Ilirit.
    Kur mbetesh m’u mbështet kokën në gurin e varrit të heronjëve të vrarë, për të mbijetuar…e dhimbshme dhe horror.
    S’di pse s’po e mbyt veten për atdhe, mbasi e do atdheun kaq shumë.
    E do me gjakun e ‘të tjerëve’, me gjakun e Isa Boletinit.
    E dashuria nuk huazohet, sidomos nga varret.
  2. Se edhe Sali Berishën e ka mbytur ‘dashuria’ për Lulzim Bashën.
    Për hir të Lulzim Bashës, ka pranuar ta shkatërrojë Partinë.
    Dashuria lyp sakrificë.
    Është interesant (dhe për studim) se si Sali Berisha nuk heq dorë nga njeri që i ka sjellur veç humbje. Për Sali Berishën është humbje ta humb Lulzim
    Bashën e jo Partinë. Varet tash çfarë të bën të ndjehesh i humbur.
    Jo që është ‘njeri i keq’ Lulzik Basha, por thjesht nuk është për atë punë.
    Ne çuditemi që kur dikush e do dikë, i jep
    pare, i blen dhurata, ia jep t’gjalltë,?etj, por asnjëherë nuk ndodh që dikush është në gjendje ta humb partinë, për ta mbajtur afër Lulzim Bashën.
    Pra, Sali Berisha nuk do fitore, sepse sikur të donte fitore nuk do ta zgjedhte humbësin.
    Sali Berisha ka talent të krijojë armiq, por s’mund të krijojë fitues.
    Kryesore mos me mbyt veten.
  3. Ish Presidenti Fatmir Sejdiu po tregon se si të gjithë e kanë tradhuar.
    Edhe Vjosa Osmani, edhe Isa Mustafa që i ka bërë be në kokën e fëmijëve ‘të kojshisë’.
    Po më qeshet me Fatmir Sejdiun, që po duket si fëmija, dhe duke qeshur me të po pyes ‘a thu pse tradhtari gjithmonë fiton dhe duket më i zoti dhe më i mençur’, kurse besniku gjithmonë duket qesharak, sepse e ‘mashtron’ Vjosa gjynah.
    Ekziston një formulë që të shpëton nga ‘tradhtia’, thjesht mos i beso askujt dhe s’të tradhton askush.
    Çfarë zori pate ti besosh Isa Mustafës!
    A s’kishe punë më të mençur sesa të jesh i sinqertë me Isa Mustafën!
    Isa e Vjosa janë karrieristë! Dhe koha do ta dëshmojë se janë ‘të njejtë’ për nga ambiciet, inati dhe kokëfortësia.
    Dhe mirë ta kanë bë që t’kanë ‘tradhtu’.
  4. E Hashim Thaçi ia ka huazuar Ilir Metës Isa Boletinin, sepse për një kohë të pacaktuar i ka ndërprerë marrëdhëniet me heronjtë dhe të vdekurit.
    Prej se flitet për arrestimin e tij, ai u bë edhe më i fortë.
    Pra sa më i dobët që është, sa më keq që i ka punët Hashim Thaçi paraqitet ‘më i fortë’, e merr tradhtinë si konsum i përditshëm, nuk idhnohet si Fatmiri, anipse e di se dëshmitarët kundër tij janë shqiptarë.
    Në kohën kur pritet arrestimi i tij, Hashim Thaçi e pranon Lajçakun në takim (anipse e ka quajtur jokompetent dhe antishqiptar), dhe ia kërkon njohjen reciproke në tavolinë.
    Kështu bën ushtari i Sun Tzus: Shtiret i dobët kur është i fortë dhe i fortë kur është i dobët.
    E jo si Ilir Meta, që sillet si i vdekur kur është i gjallë.
  5. Edi Rama do të fitojë, jo pse është fitues, por sepse s’ka me kë të luftojë.
    Njëri ‘rival’ i tij llaf e muhabet me të vdekurit, tjetri rival i tij do ta çlirojë Shqipërinë nga Edi Rama, e s’është në gjendje ta çlirojë veten nga Sali Berisha, i cili e ka humbur konceptin e humbjes!
    P.S. Më ka marrë malli për kohën kur gratë shtyheshin se cila e ka sofrën më të bardhë;
    Kur burrat shtyheshin se cili e bën shurrën më larg dhe e çanë cungun me një të rame sopate;
    Më ka marrë malli për vegjëli,
    ta shikoj babën nga larg duke ardhur në shtëpi me bostan në krah;
    M’ka marrë malli ta blej një copë basmë me lule dhe t’i ujis lulet e fustanit si gjethet në saksi;
    Më ka marrë malli për atë djalin para shkollës fillore Avdullah Shabani.
    Ai shiste dhurata në zarfa të mbyllur, dhe kur i blenim dhurata vetes çdo ditë pasi përfundonte mësimi;
    Anipse dhuratat gjithmonë ishin njësoj;
    M’ka marrë malli kur krejt familja bashkë deri në mëngjes e prisnim fundin e botës në oborrin e shtëpisë në Lagjen e Magupave, në Tavnik;
    M’ka marrë malli që të më zë gjumi papritur dhe dikush të më mbulojë me një copë gazete;
    Të shtyhemi se cili po ngopet i pari dhe cili çohet i fundit nga sofra;
    M’ka marrë malli për dorëzat ngjyrë portokalli që i kam thurur në klasën e parë, e pastaj më kanë thënë, gjuaji në zjarr se bëhesh e vyer.
    Ato kanë qenë dorëzat e mia tënpara dhe të fundit.
    M’ka marrë malli me prit dikë të vijë.
    Të shpresoj se do të bëhet mirë.
    M’ka marrë malli të shpresoj.
    Ta mbushi dhomën me kujtime dhe
    të mos ketë më vend për kujtime të reja.
    M’ka marrë malli për çdo gjë që e kam pasur mërzi.
Share: