Home KRYESORE Shpërthen gazetari: Të hënën i shitur tek qeveria, të enjten tek opozita!

Shpërthen gazetari: Të hënën i shitur tek qeveria, të enjten tek opozita!

Nga Mentor Kikia

Gjatë kësaj jave isha pjesëmarrës në dy emisione në Opinion, për të njëjtën temë, atë të inceneratorëve. Një natë përballë me dy ish deputetë të opozitës, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi, dhe një natë përballë ish ministrit Arben Ahmetaj.

Unë jam gazetar, dhe detyra ime është të bëj pyetje dhe të ofroj fakte kur i kam, si dhe ti analizoj ato, kur është e nevojshme.

Pas emisionit të parë, ku padyshim unë nuk u mbajta ison dy ish deputetëve, por kërkova të mësoja se ku dhe ne ç’menyre qeveria kishte vjedhur paratë që ata pretendonin, ishin të shumtë ata që më shkruanin: Po ti opozitës gjete si sulesh, kur të gjithë e dinë si është e vërteta. Të bëhesh me qeverinë është shumë e lehtë, por të mbështetësh opozitën është detyrë. Ndërsa ata që se kanë haberin nga edukata, më shanin si lëpirës të qeverisë, etj etj.

Pas emisionit të dytë, ishin sërish të shumtë ata që më akuzonin se e kisha marrë këstin e radhës nga opozita, sepse nuk u kishin pëlqyer pyetjet që i bëra Ahmetajt, lidhur me biznesmenin e inceneratoreve ne makinen e tij, si u dhe qendrimet e mia kunder incenerimit te mbetjeve.

Dëgjoni këtu o njerëz!

E di që e keni shumë të vështirë, po shumë ama, të kuptni që një njeri mund të jetë i pavarur. Ju mendoni se nëse mendimi im përputhet me qeverinë, jam i shitur tek qeveria, nëse perputhet me opozitën, jam i shitur tek opozita.
Ky është problem shumë i rëndë që kemi si shoqëri, sepse ngado shikojmë vetëm njerëz të shitur, vetëm mashtrues e tradhëtarë, vetëm hajdutë dhe maskarenj. Dhe për këtë arsye nuk i besojmë akujt dhe paragjykojmë gjithkënd.

Ndaj në rrjet gjejmë shumë pak njerëz që diskutojnë mbi një ide, por gjejmë me shumicë njerëz që vetëm shajnë, pështyjnë, mallkojnë e vjellin vrer.

Jo ore jo, ka edhe njerëz që e thonë të vërtetën, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo atij që është përballë.

Share: