Home POEZI VËSHTRIMI YT ËSHTË THIRRJE

VËSHTRIMI YT ËSHTË THIRRJE

Nga Rudina Çupi

Drejt e në pistil të syrit tënd të zi
ta ngul vështrimin
me të gjitha thekët e syve drejtuar ditës sate.
Dua të kem shikimin më të thellë të depërtojë në mish
të shoh sa ngushtë të rrinë luspat e gonxhes së zemrës,
ku ti mban të burgosura fjalët që s’m’i thua
dhe ngjarjet që nuk ndodhin mes nesh.

Ndihem E EGËR.
Dua të kem mijëra gishta të t’i ndjek të gjitha dejet,
të të mas pulsimet e gjakut të ndrojtur a të brofur.
Dua të kem buzë të gjata zvarritëse
të shkojnë pas gjuhës që veshin mësyjnë si robër.
Dua të di. Dua të di. Dua të di.
Mos ji i butë me mua: më flit!

Por ti e luan epërsinë me heshtje.
Nga të gjitha koprracitë… e ndjenjave qenka më e etura!
Të endka! Të verdhka! Të tretka.

Më lëndon: lëshohem bisht ndër shalë si lëng
e mandej dorëzohem:
kurriz-ngrysur kthehem si të kem parë tabelën “MBYLLUR”.
Por sytë s’t’i shqis.
Vëngër, drejt e në pistil të syrit tënd shkrumb:
ngjyej qerpikët në zi e ndjej të më bëhen gozhdë
majë-gjilpërë që ta…

Share: