Home Gjeo-Ekonomia 22 ditë në grevë urie, gratë naftëtare: Kemi marrë sms kërcënuese

22 ditë në grevë urie, gratë naftëtare: Kemi marrë sms kërcënuese

Prej 22 ditësh gratë naftëtare në Ballsh vijojnë grevën e urisë duke kërkuar pagat e tyre të prapambetura.

Mësohet se gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar, ndërsa shprehen se nuk do e ndalojnë grevën deri në gjetjen e një zgjidhje nga ana e qeverisë.

“Situata janë është e rëndë dhe e vështirë nga ana psikologjike. Po vuajmë për bukën e gojës. Ne duam vetëm bukën e gojës të premtuar nga kryeministri Rama. Faleminderit presidentit qe reagoi sepse kjo jona është greve ekonomike jo politike. Nuk dorëzohemi dhe nuk dalim nga ambientet e qendrës shëndetësorë derisa te marrim lekët.”, thanë ato.

Por, përveç gjendjes së rënduar shëndetësore, ato deklarojnë se marrin dhe mesazhe kërcënuese për të ndaluar grevën.

“Apeli vazhdon ndaj qeverisë dhe ndaj kryeministrit Edi Rama. Kemi pasur mesazhe dhe thirrje me privat dhe këto janë partiake. Nuk kemi për borxhe të dëgjojmë ato telefonata kërcënuese për të lënë grevën. Jemi te ngujuara ekonomikisht. Shpresa eshte që Rama te vije ketu e te dialogojme, “Ja sheshi, ja mejdani “. Ne brenda ne greve ai jashtë në shesh. Ne duhet te jemi pranë familjeve tona jo ketu, ndaj duam nje zgjidhje sa me pare. Deputeti i zonës mos te vij vetëm në Ballsh sa të hajë dreke. Të zbres deri tek gratë e të shikoj çfarë behët. Nga greva nuk dalim.”, pohuan grevistet.

Kujtojmë se, kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk do të bisedojë me naftëtarët për të zgjidhur problemin e tyre derisa ata të ndalojnë grevën e urisë. Ndërsa ditën e djeshme, Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje qeverisë që të nis bisedimet me naftëtarët dhe të gjej një zgjidhje të përshtatshme./ Opinion.al

Share: