Home KRYESORE Nuk ka pse të çuditemi aspak, nëse një ditë në Mitrovicë, në...

Nuk ka pse të çuditemi aspak, nëse një ditë në Mitrovicë, në Urën e Ibrit të shohim trupat e Vuçiçit?!

Vuçiç po kafshon shpinën e gomarit… këta bëjnë sikur janë në ëndërr

Nga Enkel Demi

Pas marrëveshjes së çuditshme të arritur në Shtëpinë e Bardhë, kërcënimi i Presidentit Aleksandar Vuçiç nuk duhet parë si i papritur, përkundrazi. Nuk bëhet fjalë për një lajthitje, por për një lëvizje shumë mirë të përllogaritur. Me fillimin e proceseve në Hagë ndaj drejtuesëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Beogradi tani e ka të gjithë mundësinë që ta heqë lëkurën e deles dhe të shfaqet me fytyrën e vërtetë të ujkut.

Pushtuesi, përdhunuesi, vrasësi, gjenocidisti në bazë të asaj marrëveshje më shumë se të keqe dhe këtyre gjyqeve, është barabitur me luftëtarët e rezistencës, të munduarit, të përdhënuarit, të përzënët, të vrarët.

Në këtë pikë Presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili mbante një samit për minishengenin me kryeministrin Edi Rama, ndërsa Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi dilnin me pranga në Hagë, mund ta çojë më tutje projektin e tij, jo më të shkëmbimit të territoreve, por të pushtimit të tyre.

Roli i Turqisë dhe Rusisë në konfliktin e Nagorno-Karabakh e ka joshur atë për të sajuar një rrip toke si mollë sherri dhe për ta afruar kufirin ku dëshiron ai në Mitrovicën e ndarë dhe jo vetëm.

Nga përvoja e hidhur e Historisë së Shqipërisë mësojmë që Serbia dhe Greqia nuk kanë bërë kurrë deklarata të nisura nga emocionet, por nga fakti i kryer. Së fundmi, grekët dëshiruan zgjerimin në detin Jon me 12 milje dhe po nisin trupat ushtarake në ishullin Othonoi. Të gjitha shpotitë dhe batutat marroke të kryeministrit tonë trashaman janë shumëzuar me zero.

Nuk ka pse të çuditemi aspak, nëse një ditë në Mitrovicë, në Urën e Ibrit të shohim trupat e Vuçiçit, i cili tashmë ka lëshuar kushtrimin.

Reagimi i Tiranës dhe i Prishtinës është më shumë se i vakët dhe aspak serioz. Sërish kërkojmë që të na i zgjidhin hallet të huajt. Vjosa Osmani kërkoi reagimin e Europës dhe NATO-s, kurse Pandi Majko lëshoi një të thënë si teksti i këngës “xhamadani vija-vija”. Edi Rama heshti si peshku në ujë dhe ka hallin e Shtëpisë së Verdhë që po kërkon t’ia shesë Lulzim Bashës sikur me qenë agjent imobilar.

Pas kësaj deklarate të rrezikshme që cënon territorin kombëtar duhen bërë me shpejtësi disa veprime:

  • Ndërprerja e menjëhershme e bisedimeve Kosovë-Serbi.
  • Mbledhje urgjente e përbashkët e dy qeverive.
  • Mbledhje urgjente e Shtabit të Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
  • Mbledhje të përbashkëta të shërbimeve inteligjente të Kosovës dhe Shqipërisë.
  • Lëvizje të trupave ushtarake.
  • Dërgata të përbashkëta diplomatike në Bruksel, Berlin, Uashington.

Këngët me tupana dhe thirrjet “O sa mirë me ken’ shqiptar!” vijnë pasi ke dalë faqebardhë, përndryshe në orën 17.00 edhe Radio Tirana ka për të transmetuar “Pozdravin”.

Share: