Home KRYESORE PS dorëzon kërkesën për komision hetimor për raportin e Dick Marty

PS dorëzon kërkesën për komision hetimor për raportin e Dick Marty

Mazhoranca duket se nuk do të heqë dorë nga krijimi i një komisioni të posaçëm parlamentar për të hetuar gjetjet e raportit të Dick Marty.

Një grup prej 18 deputetësh kanë depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e komisionit duke zyrtarizuar kështu nismën e paralajmëruar që kur ndaj kryetarit të opozitës, Lulzim Basha nisën të ngriheshin pyetjet mbi rolin e tij në Kosovë.

Kërkesa e 18 deputetëve ka për objekt raportin e Dick Marty dhe gjetjet e tij në Shqipëri, ku pretendohej se UÇK kishte ngritur burgje gjatë luftës me Serbinë.

Dick Marty ka qenë anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Një raport i paraqitur prej tij, ku pretendohet se UÇK ka bërë tregti organesh dhe krime kundër njerëzimit ndaj serbve në territorin shqiptar, nxiti në vitin 2011 miratimin e një rezolute nga Asambleja. Rezoluta kërkonte që të hetohej mbi pretendimet e Marty dhe kjo u bë përmes EULEX-it.

Nga hetimi i EULEX një vit më vonë ka rezultuar se për pretendimet e raportit të Dick Marty nuk ka prova që ta mbështesin. Kështu që edhe akuzat e ngritura nga ky raport, se në territorin Shqiptar janë kryer krime lufte nga UÇK, nuk janë përfshirë në aktakuzën e ngritur ndaj udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat Speciale të Hagës.

Megjithatë, Partia Socialiste duket që do t’i rikthehet edhe njëherë kësaj çështjeje për të administruar në mënyrë të përmbledhur të gjitha gjetjet e misionit hetimor të autoriteteve përkatëse mbi çështjet e raportit të Dick Marty. /Opinion.al

Share: