Home Gjeo-Ekonomia Thaçi në Hagë: Deklarohem i pafajshëm! Avokati mbrojtës: Do kërkoj lirimin e...

Thaçi në Hagë: Deklarohem i pafajshëm! Avokati mbrojtës: Do kërkoj lirimin e tij nga paraburgimi! Ku janë akuzat?

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha prerë para Gjykatës së Hagës se nuk i pranon asnjë prej akuzave të ngritura nga Gjykata Speciale.

“Akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht. Ritheksoj se akuza është krejt e paqëndrueshme, deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës si të paqëndrueshme”, tha Thaçi.

Ndërkohë, avokati i tij mbrojtës, David Hooper, tha në seancë se në akt-akuzat ndaj ish-Kreut të Shtetit nuk ka asnjë pretendim për “trafikun e organeve’ apo për “Shtëpinë e Verdhë”. Në fjalën e tij, avokati mbrojtës u shpreh se do të kërkojë lirimin e përkohshëm nga paraburgimi i Hagës për ish-presidentin Thaçi.

“Do të jem unë mbrojtësi kryesor që kam ndërmend të ndjek të gjitha seancat. Ne kemi disavantazhe që shkaktohen nga Covid dhe gjeografia. Duke pasur parasysh organizmin që duhet të bëjmë, kërkesën për të marrë vizat për të qenë këtu, do të sugjeronim datën 30 nëntor. Ju kanë ngritur një aktakuzë, megjithëse ishte e pazakontë dhe pak e pakuptimtë, megjithatë duhet sqaruar ku janë pretendimet për vjedhjen e organeve njerëzore? Dhe historia e “Shtëpisë së Verdhë”. Jo vetëm që është një njollë mbi Kosovën dhe kosovarët, por ishte ky pretendimi që krijoi këtë Gjykatë të Kosovës. Z. Thaçi i dinte që këto pretendime ishte gjepura dhe duke e ditur këtë ndihmoi Komisionin Evropian në krijimin e kësaj gjykate. Asgjë në këtë aktakuzë nuk flet për vjedhjen e organeve dhe krimet e tmerrshme që u pretenduan. Këto pretendime do të luftohen fuqimisht dhe unë pres t’i luftojmë me sukses.

Ne u çuditëm që ju e gjykuat të nevojshme të urdhëronit arrestimin e Thaçit, në vend që ta bënit me një fletëthirrje. Unë kam ndërmend të kërkoj sot pasdite lirimin e tij të përkohshëm. Nuk është e përshtatshme të bëhet kjo kërkesë pa e ditur se çfarë pretendon prokuroria se është rreziku i arratisjes. Ai është këtu dhe këtë sugjerim mund ta heqim. Sa i përket çështjes së dytë, nuk e di cilat janë pretendimet se ka pasur ndërhyrje. Ne duhet të dimë se çfarë po thuhet. Ne duam të marrim elementet specifikë të informacionit, përveç materialit mbështetës, që ka paraqitur prokuroria pas 26 gushtit. Po kështu do të kërkoj që kërkesa për lirim të përkohshëm të bëhet në javët e ardhshme, pasi të kemi marrë këtë informacion. Kjo Gjykatë, ndryshe nga të tjerat, merret me parimet e paraqitjes gojore të gjërave. Pra, pyetja që ngremë ne është “A e meriton ky person të mbahet në paraburgim apo jo?” Duke pasur parasysh që për 6 muaj prokuroria iu ka pëshpëritur në vesh, unë e mendoj që të them disa fjalë për Thaçin. Unë mund ta paraqes këtu si një person me integritet, që i ka shërbyer vendit të tij në luftë dhe në paqe, një burrë që ka arritur shumë dhe nuk i meriton këto pretendime”, u shpreh avokati.

(BalkanWeb)

Share: