Home KRYESORE Botimi/ Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu, një libër për luftën e Kosovës

Botimi/ Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu, një libër për luftën e Kosovës

Një rrëfim për një nga momentet më të rëndësishme të historisë së  shqiptarëve. Kështu vjen libri i dy gazetarëve Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu me titullin “Hashim Thaçi dhe lufta e Kosovës”.

Bazuar në dokumente, ngjarje, rrëfime dhe publikime të lidhura me luftën e Kosovës, libri publikohet në një moment mjaft domethënës për UÇK-në. Është pikërisht kur në tribunalin e saj, Hashim Thaçi dhe liderë të tjerë të ushtrisë janë duke u përballur me akuzat për krime lufte.

Një këndvështrim krejtësisht origjinal i dy autorëve-gazetarë, të cilët e konsiderojnë këtë biografi si një rrëfim për qëndresën në të gjitha format e saj.

“Ky nuk është thjeshtë libër për një lëvizje të armatosur. As për një personazh të përfshirë në të. Ky është rrëfim për një nga momentet më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve. Eshtë  rrëfim për qëndresën në të gjitha format e saj. Eshtë pasqyrë e dramës së një populli të ndarë që nuk rreshti kurrë së luftuari për të drejtat dhe dinjitetin e tij. Eshtë histori e ndërtuar në shumë dimensione, me rrëfimet e protagonistëve të Luftës së Kosovës, por edhe të kundërshtarëve apo aleatëve të tyre. Eshtë një moment që duhet të na bëjë krenarë ne që e kemi jetuar, fëmijët tanë që se kanë njohur atë kohë e mbi të gjitha, ata që qenë pjesë e saj. Të gjithë. Që nga protagonistët e qëndresës paqësore të Ibrahim Rugovës, e deri tek Luftarët e UÇK – së”, shkruan gazetari Blendi Fevziu në rrjetin social Facebook.

Duke u ndalur në figurën e Hashim Thaçit dhe vendin që ai zë në këtë libër, Fevziu shprehet se historia e tij, është po aq edhe e atyre që nuk ja arritën të shohin lirinë.

“Eshtë njëkohësisht, historia e një djali nga fshati, që së bashku me shokët e tij, refuzuan të jetonin si prindërit e tyre në Jugosllavi. Që vendosën të luftojnë dhe arritën atë që kishin ëndërruar. Eshtë një histori e Hashim Thaçit, po aq sa e atyre që nuk ja arritën dot të shohin lirinë.

Respekt për të gjithë. Ata që nuk janë më dhe ata që vijojnë të mbeten simbol i asaj lufte, Luftës së Kosovës”, shkruan gazetari Blendi Fevziu./Opinion.al

Share: