Home KRYESORE Demokracia dhjetoriste sipas meje!

Demokracia dhjetoriste sipas meje!

DHJETOR 90 (PJESA E TRETE) Nga Kastriot Çipi

Konsensusi i shprehur përmes brohoritjeve dhe duartrokitjeve e kishte mbyllur debatin për vendin e takimit me Ramizin. Duhej ngritur përfaqësia e studentëve. Hapa sytë rrotull për të parë studentë të Arteve dhe i kërkova secilit të shpërndaheshim në shesh, duke “krehur” turmën për bashkëstudentë të Arteve, për t’u komunikuar se, pas gjysmë ore, do të mblidheshim të gjithë, për të zgjedhur përfaqësinë me tre studentë të ILA, pjesë e përfaqësisë që duhej të shkonte në Pallatin e Brigadave. Të njëjtën gjë bëra edhe me shokët e mi të vjetër, studentë të Inxhinierisë. Ideja ishte e thjeshtë: secili Fakultet i UT dhe çdo Institut, përfshi ILA, ILKF Vojo Kushi (sot Universiteti i Sporteve) dhe ILB Kamëz (sot Universiteti Bujqësor) të përfaqësoheshin barazi. Në total duhej të bëheshim rreth 45 vetë.

Nga Artet erdhi ndoshta çereku i 660 studentëve të regjistruar, por gjithësesi u bë një votim i hapur dhe u zgjodhën Blendi Gonxhe, Robert Budina (që në dy pjesët e para të këtij shkrimi e kam përmendur me iniciale) dhe unë. Blendi Gonxhe propozoi që të kishim edhe një pedagog me vete, duke argumentuar se kishim nevojë për pjekurinë dhe përvojën e tyre. Aty për aty, “delegacionit” tonë iu shtua edhe Arben Imami. Ky i fundit mori një farë kohe për t’u këshilluar me Kastriot Çaushin, nëse duhej ta pranonte angazhimin apo jo, por nuk mori ndonjë këshillë.

Një korrier i panjohur na njoftoi se do të mblidheshim në konviktin nr.13, që e gjetëm duke pyetur. Çdo konvikt kishte në katin e parë një sallë, pak a shumë sa një klasë shkolle, ku konviktorët mund të shikonin televizor. Në këtë sallë të konviktit nr. 13 hymë, duke zënë vend në ca stola të gjatë në rreshtin e dytë. Në rreshtin e parë vura re Arben Likën, të cilit ia kisha mësuar emrin ato ditë. Përballë nesh rrinte në këmbë Tefalin Malshyti, të cilin gjithashtu nuk e kisha njohur më parë. Azemi, me xhup të zi lëkure e me duart nën sqetulla, hynte e dilte.

Dukej se grupi i folësve të atyre dy ditëve ishte dakordësuar, që mbledhjen ta drejtonte Tefalin Malshyti. Edhe sot që kanë kaluar 30 vjet mendoj se zgjedhja rezultoi e shkëlqyer. Tefa ishte i qetë, i artikuluar, inteligjent dhe, siç tregoi rrjedha e mëvonshme e ngjarjeve, edhe idealist.

Sapo Tefa hapi mbledhjen, Ben Imami e ndërpreu me shumë mirësjellje, duke na u lutur të gjithëve të ruanim seriozitetin e duhur për atë mbledhje, që kishte rëndësi historike, duke mbajtur një proces-verbal. Propozimi u pranua njëzëri. Sot e kësaj dite nuk e mbaj mend kush e mbajti proces-verbalin dhe nuk e di ku ndodhet ky dokument.

Mbledhja filloi me “çelësin” e duhur dhe e ruajti seriozitetin, me gjithë disa incidente të kuptueshme. Nga të parët foli Arben Lika, që u tall me konceptin e “pluralizmit të mendimit”, që kishte shpallur Ramiz Alia, duke argumentuar se njeriu lind me pluralizëm mendimi. Tefalin Malshyti jepte gjykimin e tij shkurt dhe kalonte fjalën tek të tjerët, por e kishte të pamundur të ruante të njëjtën linjë diskutimi. Folësit përqendroheshin herë te kërkesat ekonomike, të artikuluara e renditura tashmë, herë tek ato politike, si krijimi i një organizate të pavarur rinore.

Kur më erdhi radha, fola shkurt e me nxitim. Thashë se duhej të tregoheshim të zgjuar e të deklaronim se nuk ishim për ndryshimin e rendit kushtetues, sepse kjo automatikisht na klasifikonte si “armiq”. Manovra jonë duhej të ishte të kërkonim krijimin e një organizate rinore dhe kjo mjaftonte për të marrë pjesë në zgjedhje, pas ndryshimit të Ligjit të Zgjedhjeve, në shtator, që tashmë lejonte pjesëmarrjen edhe të të ashtuquajturave “organizata të masave”, ndër të cilat edhe Bashkimi (komunist) i Rinisë së Punës së Shqipërisë. Pikëpamja ime ishte se mosdeklarimi si kundërshtarë të socializmit do të na e bënte më të lehtë rrugën drejt pluralizmit politik.

Emin Barçi, i ulur në mes të sallës, së bashku me studentët e tjerë të Fakultetit Ekonomik foli për një gjendje ekonomike në prag të katastrofës. Sipas tij se duhej të ofronim edhe alternativën për zgjidhjen e krizës ekonomike, duke propozuar lejimin e shitjes së tokës të huajve, për të ulur borxhin e jashtëm. Njëri prej dy pedagogëve të tjerë të pranishëm, në mos gaboj Arben Meçe, u ngrit dhe e kundërshtoi me vendosmëri: “Dale more djalë, ne mezi e kemi atë pak tokë që na ka mbetur, t’i thua t’ia shesim të huajve?!”.

Emin Barçi u nervozua dhe nguli këmbë se në atë sallë vetëm ai dhe shokët e tij ishin kompetentë për të folur për ekonominë.
Një student, nga ata që rrinin tek dera, për të mbajtur rendin, hyri dhe tha se kishte ardhur një ekip xhirimi i Kinostudios, për të bërë një kronikë. Ishte reagimi i parë i medias. Deri atë ditë asnjë gazetar i televizionit, radios apo ndonjë gazete nuk ishte paraqitur në Qytetin Studenti. Përmes dy kanateve të derës së sallës së televizorit, secila me nga katër “dritareza” xhami, pashë operatorin e kameras Aleksandër Kasneci dhe operatorin e zërit Gëzim Cenolli, të cilët tre vjet më pas do t’i kisha kolegë në Studion Alba Film.

Në sallë shpërtheu paranoja:” Jo, në asnjë mënyrë… I ka dërguar Sigurimi i Shtetit… Nuk kemi nevojë për ju…”. Unë thashë se nuk kishim asnjë mundësi të mbroheshim nga përgjimet e Sigurimit. Edhe të tjerë thanë se asgjë e keqe nuk do të na vinte nga kjo kronike. Gëzim Cenolli futi krahun e djathtë dhe kokën tullace në njërën nga dritarezat e derës, së cilës i mungonte xhami dhe na u përgjërua: “Po është histori mor djema!”. Por ishte e kotë… E njëjta paranojë u shfaq edhe më vonë, kur një student hyri me arrogancë dhe na kërcënoi të gjithëve të kishim kujdes e të mos bënim lojra, kupto: të mos tradhëtonim votën e studentëve.

Kundërreagimi i të pranishmëve ishte edhe më patetik: e akuzuan si provokator të Sigurimit!

Përfundimisht, u ra dakord të lejohej vetëm kamera, pa mikrofonin. Leko (Aleksandër Kasneci) hyri dhe xhiroi një bobinë të vetme, që përkthehej në diçka më shumë se 10 minuta film. Kur fillova punë në Studion Alba Film, kërkova ta shikoja atë xhirim në Arkivin e Filmit, por aty më thanë se një bobinë e tillë nuk ishte dorëzuar kurrë në Arkiv. Pyeta Gëzimin dhe ai më tha se e kishin dorëzuar materialin bruto, sipas rregullit, por nuk e dinte ç’kishte ndodhur me të. Ndërsa Leko, me zërin e tij të ngjirur, më tha “Mos pyt mo mir!”. Nuk tingëllonte si kërcënim, por si ftesë për t’u dorëzuar. “E kon zhduk.” Ndryshe nga të gjithë vendet e ish-Bllokut Socialist të Europës Lindore, në Shqipëri nuk ruheshin negativat e sekuencave filmike që nuk përdoreshin në një film artistik, dokumentar apo kronikal.

Në zjarr përfundonin edhe sekuencat e hequra në zbatim të censurës. Fati i kësaj bobine ndoshta zbardhet vetëm në dokumentet e kohës të Sigurimit të Shtetit. Dyshimi i Lekos ishte se negativin e kishin marrë ata.

Pasi ekipi i Kinostudios kishte ikur, pas derës pamë Gramoz Pashkon. Studentët e Ekonomikut u ofruan të gatshëm t’i linin vendin atij në sallë, por Pashko u përgjigj se nuk ishte nevoja. “Kam besim tek studentët e mi”, – tha.

Dikur, Azemi hyri prapë dhe tha: “Shokë, nga Kabineti i Presidentit sapo na njoftuan se nuk pranojnë më shumë se 30 vetë. Duhej që nga çdo përfaqësi fakulteti të tërhiqej një nga tre studentët. Pedagogët e pranishëm, tre Arbenët (Imami, Demeti dhe Meçe) u ra dakord të mbeteshin (Më vonë kam marrë vesh se kishte edhe një pedagog tjetër, Zef Brozi, por nuk mbaj mend të ketë folur në mbledhje.).

Ky ishte çasti kur serioziteti i mbledhjes u vu në rrezik. Emin Barçi dhe studentët e tjerë të Ekonomikut u bënë të zhurmshëm. Këmbëngulnin se delegacioni i tyre duhej, përkundrazi, të shtohej në numër, sepse vetëm ata mund të argumentonin platformën për zgjidhjen e krizës ekonomike, por debati i shkurtër për shitjen e tokës kishte lënë shije të keqe… Edhe studentët e Filozofisë ngulnin këmbë se prania e tyre në takimin me Ramizin ishte e domosdoshme dhe duhej t’u shtoheshin numrat. Një studente nga Vlora nguli këmbë se ajo duhej të ishte patjetër në takim, që t’i tregonte Ramizit shenjat e shkopit të gomës që kishte në kurriz. Ironikisht, këta që bënin potere në mbledhje, nuk pipëtinë fare në takimin me Ramizin.

Në këto e sipër mbërriti thashethemi se Plenumi i KQ kishte pranuar të lejohej pluralizmi politik. Entusiazmi arriti kulmin. Megjithatë askush nuk tha se takimi nuk kishte më kuptim. Ndërkohë që vazhdonin debatet për reduktimin ose jo të përfaqësive të fakulteteve, Azemi m’u drejtua mua: “Ti duhet të rruhesh. Nuk mund të vish kështu tek shoku Ramiz.” Mirëpo unë isha tepër krenar për mjekrën që kisha filluar të rrisja dy javë më parë dhe që ishte bërë problem në mbledhjet e organizatës bazë të partisë dhe ato të këshillit pegagogjik në Fakultetin e Arteve Skenike. “Çfarë the ti?! – ia ktheva. – Po unë për këtë mjekër jam këtu!”. Gjithësesi, gjëja që më interesonte më pak në atë çast ishin debatet mes nesh. Tekefundit nuk kisha asnjë dëshirë të shkoja të takoja Ramizin. I thashë Ben Imamit se unë po tërhiqesha dhe kështu përfaqësia e Arteve ishte në rregull me tre vetë. Në të njëjtën gjatësi vale, Beni u ngrit dhe i tha sallës “Instituti i Arteve e dha shembullin e vet. Një nga përfaqësuesit u tërhoq. Le ta bëjnë të gjithë fakultetet”. U ngrita dhe dola nga salla dhe takova tek dera Edmond Budinën, që e kisha pedagog, i cili sapo ishte kthyer nga Zvicra, ku Teatri Kombëtar kishte qenë në turne, për shqiptarët e Kosovës. Pas pak doli edhe Bert Budina dhe tha se ia kishte lënë Mondit vendin e tij, për të shkuar tek Ramizi.

Jashtë atmofera ishte më shumë se euforike. Njerëzit përqafoheshin e putheshin. Ishte errur plotësisht kur një autobus Saviem, nga ata që përdoreshin për transportin urban në Tiranë, erdhi të merrte 30 studentët dhe pedagogët që do të shkonin në takim. Njerëzit rrethuan autobusin dhe dukej sikur donin ta përqafonin, në pamundësi për të përqafuar pasagjerët e tij. Ishte një skenë që më kujtoi rrethimin nga tifozët shqiptarë, të autobusit të kombëtares gjermane të futbollit, pas stërvitjes në Stadiumin “Qemal Stafa”, në vitin 1981.

Orët e pritjes së kthimit të përfaqësisë kaluan shpejt. Hareja ishte e papërshkrueshme. Njerëzit takonin të njohurit, lëviznin në shesh e rrotull tij, prezantoheshin me të njohur të të njohurve të tyre, por flisnin edhe me të panjohur, sikur t’i kishin të njohur. Fantazia e secilit kishte marrë krahë. Tema e preferuar: Sa shpejt do të hymë në Europë? Të gjithë ishin të bindur se do të ndodhte shumë shpejt, brenda jo më shumë se katër vjetësh. Argumenti për këtë nuk ishte përparimi i pritshëm i vendit, por fuqia e madhe ekonomike e BE. “E çfarë na ka Europa ne?… Asgjë!… Ç’i kushton Europës të mbajë 3 milion vetë?… Ne për katër vjet bëhemi Zvicër…”

Atëherë nuk e kisha idenë e modelit të demokracisë direkte të Zvicrës. Por dija që ishte vend i pasur. Bashkëbiseduesi im ngulte këmbë se mineralet tona nuk i kishte asnjë vend tjetër i Europës. Detin tonë nuk e kishte askush. “Pikërisht – i thashë, – Zvicra nuk ka asnjë mineral. Madje nuk ka as det. Si u bë e pasur?” Bashkëbiseduesi heshti një sekondë dhe më tha: “E si u bë, sipas teje?”. “Die Arbeit , – ia ktheva unë, – Puna! E kam lexuar në një artikull të Neritan Cekës, me përshtypje udhëtimi nga Gjermania.” Bashkëbiseduesi im më ktheu shpinën dhe iku.

Ishte bërë shumë vonë, kur përfaqësia u kthye nga takimi me Ramizin dhe një pjesë e tyre zuri vend në ballkonin tribunë të shkallares së mensës. Nuk do ta harroj kurrë Shinasi Ramën që mori mikrofonin dhe thirri “E deshet demokracine, jua prume!” (pa shqiptuar asnjë ë). Unë qesha. “Po sikur Skënderbeu tha se lirinë nuk na e solli ai, por e gjeti midish nesh…” u thashë shokëve që kisha afër. Në tribunë pashë edhe Osman Mulën që thirri “T’këndojm kangën ma t’bukur, kangën e flamurit!”

Nuk fiksova asgjë nga fjalimet e folësve. Mezi prisja të dëgjoja regjistrimin audio të takimit. Mezi prisja të dëgjoja Ramizin të përpëlitej për të gjetur fjalët, pas kritikave dhe akuzave për sistemin. Por përvoja më rezultoi zhgënjyese. Më mbeti në mend patetizmi i Shinasi Ramës, servilizmi i habitshëm i Arben Demetit, dy-tri batuta të Blendi Gonxhes, tipike për të, por shumë efikase në këtë rast dhe këmbëngulja e Ben Imamit për t’ia nxjerrë me zorr nga goja Ramizit pranimit e pluralizmit, përmes krijimit të një partie të re politike, jo më një organizate thjesht rinore. Shikimi i videos, shumë kohë më pas, vetëm sa ma shtoi zhgënjimin dhe shijen e hidhur. Më vjen për të vjellë edhe sot kur shoh një grup studentësh, që në fund të takimit rrethojnë Ramizin dhe flasin me të si me gjyshin e tyre të dashur.

Kur mbaroi regjistrimi audio, një grup studentësh dhe pedagogësh u nis drejt konviktit nr. 13. Unë ngjita shkallaren për t’u nisur për në shtëpi. Isha i uritur dhe i lodhur. Greva jonë kishte përfunduar dhe të nesërmen në mëngjes duhej të isha në fakultet. Isha i lumtur që po krijohej një parti demokratike, por nuk doja të bëhesha pjesë e saj. Më mjaftonte të mendoja se pas tre vitesh do të isha regjisor, në një vend demokratik.

Nuk kisha dashur të ikja nga vendi, duke u futur në ambasada e aq më pak mund të më shkonte ikja në ato çaste. Sapo e lashë në të djathtë mensën, u përballa me sekretarin e organizatës bazë të partisë në ILA, Gëzim Kamen dhe regjisorin fierak Pëllumb Kulla. Më përqafuan të dy duke më thënë “Rrofshi mor djem, se nga ju e kemi”.

Në shtëpi po më prisnin të gjithë zgjuar. Motra fluturonte. Edhe nëna ishte e lumtur. Babai ishte i menduar. Apo ndoshta i dorëzuar? Vite të tëra kishim bërë debate të ashpra. Ai ishte komunist dhe unë kisha bindjen se ai i besonte komunizmit. Ato tri ditë kishte folur shumë pak. Nuk më kishte kundërshtuar për asgjë. Edhe kur u thashë se do të shkoja në Qytetin Studenti ishte nëna, si nënat, që më tha të mos shkoja. Ndërsa ai i tha nënës “Lere, nuk duhet të ndahet nga shokët.” Ndërsa mua më shtoi një fjali të fundit: “Vetëm tregohu i matur. Me mend në kokë.”

Zgjimi të nesërmen i ngjante fundit të një poezie Bardhyl Londos, të botuar pak ditë më vonë, ku thuhej pak a shumë se, mitingu mbaroi dhe këpucët e lagura më kujtuan se lata e druve duhej prerë…

(VIJON)

Share: