Home KRYESORE Fati i ministrave të brendshëm, mësim apo ogur për atë që vjen?

Fati i ministrave të brendshëm, mësim apo ogur për atë që vjen?

Nga Manjola Bregasi-

Mes protestave të dhunshme që përfshinë kryeqytetin, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi dorëheqjen mbrëmjen e 10 Dhjetorit.

Lleshaj u largua në një mënyrë, që askush nuk do e dëshironte, e aq më pak një ushtarak, pas vrasjes së një të riu, një efektiv policie.

Pavarësisht fjalëve se midis Lleshajt dhe Ramës kishte patur “fërkime” të mëparshme, mes protestuesve që kërkonin dorëheqjen përpara zyrës së tij, Lleshaj deklaroi largimin.

Mbase për faktin që përfaqëson një nga institucionet më delikate të qeverisë shqiptare, Ministria e Brendshme, jo vetëm në vitet e errëta të komunizmit, por edhe më pas, ka qenë ogur jo i mirë në fatin e drejtuesve të saj.

I pari Koçi Xoxe. Një ish-ministër i dënuar me vdekje i akuzuar si agjent jugosllav në vitin 1947.

Pas tij Mehmet Shehu, një tjetër Ministër i Brendshëm, që do të kishte fat vdekjen. I vrarë apo vetvrarë!

Pasuesi i tij Kadri Hazbiu, u dënua si armik i popullit dhe u ekzekutua në vitin 1983.

I fundit që do të mbyllte listën e vrasjes së ministrave të Enver Hoxhës ishte Fecor Shehu, gjithashtu i dënuar dhe ekzekutuar.

Më pas Hekuran Isai qëndroi për më shumë se 8 vite në krye të Ministrisë së Brendshme. Ai drejtoi institucionin edhe në momentin e ndërrimit të sistemit. Nëse shpëtoi nga pushkatimi si paraardhësit e tij, Isai nuk i shpëtoi burgut, ku u gjykua së bashku me anëtarë të tjerë të Byrosë Politike.


Por çuditërisht Ministria e Brendshme nuk do të ishte një derë fatsjellëse as për shumë ministra në vitet e pluralizimit politik.

Hajredin Shyti do ta mbyllte detyrën e tij të shkurtër, me arrestim dhe dënim për ngjarjet e 2 Prillit të vitit 1991. Po kështu, edhe Halit Shamata e Perikli Teta, provuan arrestimin.


Ndërkohë gjatë qeverisjes socialiste që po shkon drejt mbylljes së mandatit të dytë, janë tre ministra të brendshëm, të cilët largohen nga detyra të kushtëzuar dhe dorëhequr.

Në Mars të vitit 2017, Saimir Tahiri i detyruar nga akuzat për trafikun e drogës dhe audiopërgjimet e bandës së Habilajve që përmendnin emrin e tij, deklaroi dorëheqjen. Pas kësaj, ish-ministri i hyri një sage të gjatë me gjykatat dhe drejtësinë, nga e cila nuk ka dalë as sot.

Zëvendësi i tij, Fatmir Xhafaj do të kishte gjithashtu problematikë të ngjashme. Këtë herë jo të lidhur me emrin e tij, por me të vëllain, një ish-i dënuar për trafikun e drogës.

Në tetor të vitit 2018, kur kishte kaluar pak më shumë se 1 vit në detyrën si Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen. Ndërkohë, përmes një tuiteri Kryeministri Rama njoftoi ardhjen e gjeneralit Sandër Lleshaj në krye të institucionit, si një energji e re dhe pozitive.

Në publik pritshmëritë për zotin Lleshaj, nisur edhe nga profili tij jo politik duket se qenë të larta. Por ikja e tij na bën të kuptojmë, që nuk i përmbushi dot. A do të jetë fati i ministrit të ardhshëm mësim apo vazhdim i të shkuarës? Mbetet për t’u parë./Opinion.al

Share: