Home KRYESORE Imzot Rrok Mirdita, ipeshkvi që rindërtoi Kryedioqezën Tiranë-Durrës

Imzot Rrok Mirdita, ipeshkvi që rindërtoi Kryedioqezën Tiranë-Durrës

Nga Ndue Dedaj, Mapo

Ishte vjeshta e vitit 2013… Imzot Mirdita na pret në studion e tij plot libra, në selinë Argjipeshkvore të Tiranës, ku ai është zhytur mbi letra si çdo prelat dijetar. Nis e rrëfen për Klleznën, vendlindjen e tij në rrethinën e Ulqinit, emër që vjen nga fjala latinishte eklezia, mbase ngaqë në atë zonë ka pasur motit mbi 300 kisha, aq sa ditët e vitit, një fakt i pazakontë në botën shqiptare. Kllezna e vogël, bri Shasit e Anës së Malit, ka nxjerrë dy figura të mëdha të kishës katolike, Dom Simon Filipajn, përkthyesin e Biblës në shqip dhe Imzot Rrok Mirditën.

Të dy kur qenë të vegjël mësuan në shkollën e fshatit. Kllezna ka qenë një fshat shqiptar karakteristik, me banorë katolikë, mysliman dhe ortodoksë, që kanë jetuar në harmoni. Kronikat shënojnë se rreth 100 familje klleznore kanë emigruar në SHBA, e rreth 40 të tjera janë vendosur në qytetin e Ulqinit. Ndër familjet që emigroi në Amerikë ishte dhe ajo e Dom Rrokut, priftit të ardhshëm të shqiptarëve të Nju Jorkut. Rrok Mirditën e kemi njohur të gjithë kur u shugurua ipeshkëv në Katedralen e Shkodrës nga Papa Gjon Pali më 25 prill 1993, njëherësh me Imzot Frano Illinë, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.

Një homeli për Heroin Kombëtar

U bënë pesë vite që Argjipeshkvi i Tiranës, Imzot Rrok Mirdita ka kaluar në amshim, që nga 7 dhjetori i vitit 2015. Secili nga ata që e ka njohur ka plot mbresa për të rrëfyer. Sa ç’ishte i thjeshtë në bisedat e zakonshme, aq ishte i thellë në tekstet që shkruante dhe kumtonte publikisht. Ligjërimi i tij kishtar mbetet një model kushtimi, dije dhe urtie. Personalisht nuk mund të harroj homelinë e tij kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, gjatë një meshe përkujtimore në kishën françeskane të Zojës Nunciatë (“Dom Lleshit”) në Lezhë, rreth viteve ‘2000, në njërin nga përvjetorët e vdekjes së Heroit Kombëtar. Një fjalë e thukët, ku gërshetohej kujtesa historike me përshpirtjen dhe lutjen.

Ndihej në atë ligjëratë që figura e kryekreut shqiptar kishte bujtë mrekullisht brenda tij dhe ai kishte gjetur ditën e bekuar, sigurisht njërën nga ditët skënderbegiane, që ta shpallte si një dashuri nderimin ndaj figurës së tij. Misionarari i fesë me këtë vetëdije të lartë atdhetare pati ardhur për të shërbyer në Shqipëri, duke qenë njëri ndër katër ipeshkvijtë e parë të kishës në Shqipërinë postkomuniste. Imzot Mirdita, ditë pas dite, u mor me rimëkëmbjen e kishave të kryedioqezës Tiranë – Durrës, gjithë jetën shpirtërore të saj, duke udhëhequr vetë punën për ndërtimin e Katedrales së Shën Palit Apostull në Tiranë. Kryeqyteti shqiptar për herë të parë kishte një kishë katolike të atyre përmasave, me një arkitekturë të veçantë.

Prandaj në urimin me rastin e 50-vjetorit të meshtarisë së kryeipeshkvit Rrok Mirdita, që u kremtua më 4 korrik 2015, Ati i Shenjtë, Papa Françesku e sintetizoi me këto fjalë kontributin e tij: “Një jetë e shpenzuar në shërbim të Ungjillit, Kishës dhe Popullit”. Imzot Rroku ishte shumë mirënjohës për paraardhësit e tij. Na ka folur me aq dashuri për kishën e shqiptarëve të Amerikës në Bronx (Nju Jork) dhe Imzot Zef Oroshin, që herët kishte qenë prift i Abacisë së Mirditës në Orosh, para se të arratisej mbas Luftës së Dytë Botërore, një figurë emblematike e rezistencës antikomuniste dhe e diasporës shqiptare në Perëndim.

Po ashtu nga Monsinjor Rroku kujtoj një bisedë të tijën gjithë nerv për Benediktinët, ku, duke marrë shkas nga kuvendet e shumta të tyre në Mirditë etj., ai ngulmonte se ishte një histori që duhej gërmuar, zbuluar e shkruar, pasi aty shqiptarët kanë disa rrënjë kulturore të pashqitshme. Mirditorët qenë mbledhur në Rrëshen dhe Imzot Rrok Mirditën e patën shpallur “Qytetar Nderi” të tyrin. Modestisht ai u thoshte atë ditë në drekën e shtruar për nder të tij: “Po çfarë kam bërë unë për ju, që të më nderoni duke më bërë qytetarin tuaj?” Ndokush nga ata ia kishte kthyer mirditçe: “Sikur asgjë tjetër të mos keni bërë, ju mbartni me krenari si mbiemër, emrin e krahinës sonë, nga i keni rrënjët e origjinës”, çka ai e pohonte me kënaqësi. Imzot Mirdita rrëfente urtësisht, pa e humbur atë timbrin e të folmes veriperëndimore të trevës së tij matanë Bunës, nga kishte trashëguar karakterin dhe koloritin malësor që nuk ishte bjerrë nga jeta në metropole. Prelatët e lartë të kishës, sado lart të ngjiten në hierarki, mbetën sërish dhe nga pak famullitar. Madje dhe vetë Papët e prekin me duar skamjen e botës dhe njeriun në nevojë, atë që është aq larg të kamurve…

Bisedë me Imzot Mirditën për gjakmarrjen dhe ngujimin e fëmijëve

Dy vite para se të ndërronte jetë, patëm zhvilluar një bisedë të vyer me Dom Rrokun rreth gjakmarrjes e ngujimit të fëmijëve dhe opinionet e tij rreth këtyre dukurive të tranzicionit shqiptar të çrregullt, publikuar asokohe në shtyp, po i paraqesim përmbledhtas dhe në këtë shkrim, në shenjë mirënjohje për figurën e tij, si dhe për interesin publik që paraqesin ende.

“Pikë së pari kjo dukuri (e fëmijëve të ngujuar) në dioqezën e Tiranës nuk është sa në ipeshkvitë e tjera, por shumë më pak. Mendoj se shifrat këtu janë të ekzagjeruara. Ka padyshim njerëz të përkushtuar ndaj misionit të pajtimit, por nga disa dhe teprohet e manipulohet.

Keqpërdoret Kanuni aty ku nuk ka të bëjë aspak. Ju e dini se fëmijët dhe gratë janë të paprekshëm me Kanun dhe të përjashtuar nga gjakmarrja. Do t’ia vlente shumë që nga një komision i posaçëm të bëhet një studim i detajuar dhe konkret për sa u përket pikërisht këtyre fëmijëve të ngujuar dhe jo të jepen shifra për qëllime të ndryshme. Unë do ta përshëndesja një nismë të tillë.Të verifikohen një për një ku janë e si janë fëmijët e ngujuar, të dimë konkretisht për secilin dhe jo të flitet në përgjithësi. Çdo familje të ketë skedën e vet, siç pasqyrohet rregullisht gjendja e famullisë. E përsëris, duhet që dikush të merret seriozisht me këtë çështje kaq delikate. Dhe mbi këtë bazë të jepet mbështetja e nevojshme ligjore, sociale, financiare etj.

Mendoj se mungon një gjë shumë e rëndësishme te ne, aty ku janë në lojë shifrat, përqindjet, njerëzit i lëshojnë ato pa u menduar. Këtu përfshihet dhe kjo puna e fëmijëve të ngujuar dhe e gjakmarrjes. Duke dashur të sigurojnë ndihma nga të huajt, shtohen shifrat, rriten ato artificialisht, ndërkohë që lëndohet imazhi i popullit shqiptar. Të jepen shifra alarmante gjakmarrje e ngujimi herë pas here, kjo te të huajt krijon idenë se për këta njerëz, këtë popull, jeta nuk është asgjë. Po ashtu krijohet ideja se jemi dorëzuar para kësaj dukurie, sikur është e pamundur për ta ndrequr këtë punë.

Por nuk është ashtu, i kemi mundësitë për ta ndalur gjakmarrjen, veçse duhet vullnet dhe bashkëpunim mes të gjithëve. E kam thënë në takime me njerëzit e mediave, janë të neveritshme disa lajme që jepen. Gjakmarrja është plagë kombëtare shumë e rëndë dhe nuk mund të paraqitet me lehtësi në gazeta e televizione nga njerëz jo profesionistë dhe të papërkushtuar. Për mua në lajmërimin e jetës reale media ka dështuar. Dhe jo vetëm në këtë çështje, por dhe në argëtimin pa lidhje me orë të tëra në TV…”

“Nuk mund të jesh misionar i vetëshpallur i pajtimit…”

“Ju përmendët “misionarët” fals, siç i quajtët. Misionarët e paqes është shpërdoruar si term. Misionar i vetëshpallur nuk mund të jesh. Misionarët janë të dërguar nga dikush. Duhet mbajtur parasysh dhe puna që patën bërë në të kaluarën misionet volante të jezuitëve në Veri për zgjidhjen e ngatërresave dhe pajtimin. Më kujtohet një rast në Kllezën të Ulqinit, një ngatërresë e fortë mes një katoliku dhe një myslimani, kur i zoti i shtëpisë, i besimit mysliman, iu thotë ndërmjetësve, mbasi keni ditë se me kë me ardhë (me famullitarin), qoftë e kryer kjo punë. Siç shihet nuk ishte çështje besimi, por misioni, tradite. Ai bëri një gjest të rrallë, pasi fali për hir të meshtarit që ishte i fesë tjetër. Por raste të tilla ka gjithandej. Në një kolegj, në Nju Jork, një student italian kishte rrahur në grup një shqiptar, kuksian.

Më thirrën dhe mua për këtë ngatërresë ndëretnike për t’i dhënë udhë. U mblodhën familjet, jep e merr mes tyre, nuk donin me e fal italianin ata të familjes së djalit të lënduar. Por ishte babai i tij që iu drejtua ndërmjetësve: meqë në këtë punë ka hyrë njeriu i fesë, falë qoftë. As unë nuk e prita me një të ramë zgjidhjen. Nuk kishte dhuratë më të madhe për mua. Nuk ishte as kësaj here çështje besimi, pasi prindi që fali ishte i fesë tjetër, por e kuptonte se ç’është misionari. Ai burrë mysliman e dinte se unë isha famullitar i Nju Jorkut dhe kjo ishte e mjaftueshme për të.

Përsëri një rast nga Nju Jorku. Kishte ndodhur një vrasje mes shqiptarësh. Ishte viti 1990 dhe nga Kosova kishin ardhur Mark Krasniqi e Anton Çetta për pajtimet dhe në diasporë. Djali që duhej të falte gjakun e të vëllait, iu tha: “Ju faqebardhë qofshi, por jeta e vëllaut tim nuk mund të falet kollaj. Nëse e falim, ia falim vetëm Zotit! Unë do të flas me vllaznit e mi në Kosovë dhe çdo njoftim do t’ua baj me dije nëpërmjet Dom Rrokut.” Dhe nuk vonoi e trokiti në derën time:

“Lirisht mundesh me u dhanë fjalën atyre burrave se ne e falem gjakun!” Unë ia përcolla grupit të pajtimit lajmin e mirë. Në Nju Jork kemi patur dhe rastin e një fëmije me ngjyrë që për provokim e lyejnë me bojë të bardhë dhe ky do të ishte incident etnik, pasi donin t’ua linin fajin shqiptarëve. Si thoni ju vepruam? Bashkëpunuam me një grup vullnetarësh, ndërmjetësues në zgjidhjen e konflikteve. Ky është dhe kuptimi modern i pajtimit dhe jo persona të vetëshpallur si pajtimtarë. (Dom Rroku na tregon gazetat amerikane ku ishte shkruar për atë rast.) I solla këta shembuj jo për të rrëfyer diçka vetjake, por misionarët e vërtetë na mungojnë sot. Ata janë të pabujë, nuk bëjnë deklarata, nuk mburren, nuk merren me “shifra”, por me atë çka kanë arritur me njeriun”. Kanë qenë kënaqësi takimet me Imzot Rrok Mirditën, misionarin e paharruar. Tani ndiej se fjalët e tij kanë dhe më shumë peshë. Ato nuk do heshtin asnjëherë brenda meje, brenda nesh…/Gazeta Mapo

Share: