Home KRYESORE “Jam penduar”/ Qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha, Gjykata vendos “Arrest me...

“Jam penduar”/ Qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha, Gjykata vendos “Arrest me burg” për efektivin e Policisë

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për efektivin që vrau 25-vjeçarin, Klodian Rashën.

Ditën e sotme u zhvillua seanca gjyqësore për përcaktimin e masës së sigurisë për efektivin e policisë. Gjykata ka vendosur masën “Arrest me burg” për efektivin e “Shqiponjave”, shtetasin Nevaldo Hajdaraj.

Efektivi Hajdaraj është shprehur gjatë seancës së sotme se është penduar për veprimin e kryer, ndërsa ka kërkuar që familja e viktimës të ishte në seancë në mënyrë që t’i kërkonte falje.

“Sillni familjen këtu, dua t’i kërkoj falje. Kam marrë një jetë njeriu, merrni çfarëdo lloj mase ndaj meje. Jam penduar”, mësohet të jetë shprehur polici 31-vjeçar.

“Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë askujt!”, është shprehur ndër të tjera ai.

Tre ditë më parë në orë policore në mesnatë polici i Shqiponjave, N.H qëlloi për vdekje dy herë të riun Klodian Rasha. Pas kësaj ngjarje një valë protestash ka shpërthyer në Tiranë dhe disa qytete të Shqipërisë.

Nga protestat e djeshme të zhvilluara në Bulqizë dhe Korçë për vrasjen e Klodjan Rashës janë vendosur nën hetim 16 persona. Ndërsa në Lezhë janë proceduar penalisht 15 persona për organizim të paligjshëm, protesta dhe dëmtim prone, si dhe bllokim trafik në Lezhë.

Madje kjo ngjarje ka sjellë edhe dorëheqjen e ministrit të brendshëm, Sandër Lleshaj që është pranuar nga kryeministri Edi Rama ditën e djeshme. Lleshaj u bë ministri i tretë i brendshëm i larguar nga qeveria Rama në 2 mandate.

Top Channel

Share: