Home KRYESORE Aplikimi online për pasaportë biometrike, Çuçi jep detaje

Aplikimi online për pasaportë biometrike, Çuçi jep detaje

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi këtë të enjte gjatë një komunikimi online me qytetarët ka folur në lidhje me ndryshimet e procedurave për ri-aplikim për pasaportë biometrike si edhe saktësimin e adresave si pasojë e projektit të popullimit.

Çuçi ka bërë me dije se të gjithë qytetarët që kanë nevojë për një pasaportë të re tashmë e kanë më të lehtë procedurën e aplikimit, pasi formularin paraprak mund ta bëjnë online.

“Aplikimi për pasaportë mund të bëhet online. Mjafton që të nxirret dhe të plotësohet formulari i identifikimit. Qytetarët duhet të pajisen me pasaporta dhe karta identiteti. të gjithë ata që do bëjnë riaplikime për pasaportë, nuk kanë nevojë që të marrin formular identifikimi nga policia. Ata thjesht bëjnë kërkesë për të caktuar datën pranë zyrave të aplikimit.

Dorëzojnë pasaportën e skaduar dhe marrin pasaportën, për aq kohë sa bëhet aplikimi. Nuk ka më sorollatje. Çdo gjë e bën Gjendja Civile. Qytetari vetëm komunikon online dhe shkon e bën shenjat e gishtave e fotografi”, tha Çuçi.

Më tej, Çuçi ka bërë me dije se nuk do të ketë gjobë për ata që e kalojnë afatin 30 ditor të deklarimit të ndryshimt të vendbanimeve.

“Kemi vendosur ta heqim për një kohë të caktuar, që t’i lëmë hapësirë njerëzve që pa i ngarkuar financiarisht, pa gjobë ta bëjnë ndryshimin e vendbanimit. Dua i bëj thirrje gjithë shqiptarëve që tani nuk aplikohet gjobë nëse ka kaluar afati 30 ditor i deklarimit të ndryshimit të vendbanimit.

Të përfitojnë nga kjo lehtësi ta bëjnë sa më shpejt këtë deklarim, mund të shkoni në zyrat e gjendjes civile ta bëni këtë ndryshim pa u penalizuar”, ka thënë ministri./Opinion.al

Share: