Home KRYESORE Çmitizimi i gushtit të përgjakur mirditas. nga Adnand Lleshaj

Çmitizimi i gushtit të përgjakur mirditas. nga Adnand Lleshaj

Mirdita ka jetuar ndër shekuj në një farë vetqeverisjeje sipas rregullave autoktone.

Mund ta përmendim që në kohën e Progonit, shtetit të Arbërit, pas shek. XV lejimit të zbatimit të këtyre ligjeve edhe nga vetë Perandoria Osmane që kishte pushtuar gjithë Ballkanin, e gjer në vetëshpalljen e Republikës së Mirditës që “de jure” plotëson gjithë komponentët për tu konsideruar edhe si një shtet i pavarur, kurse “de facto” ishte një përqasje e gabuar që për fatin e shqiptarëve nuk arriti të finalizohej.

Pas mesjetës Mirdita pretendohet të jetë qeverisur nga doket e Lekë Dukagjinit, që në linjën e të vëllait, Nikollës, del dhe fisi i Gjormarkajve, derës së Kapedanëve, që në përmbledhjen e viteve 1930 cilësohen si “baza e Kanunit”. Disa studiues e kundërshtojnë këtë tezë -edhe pse ka dokumentacion për këtë pemë familjare- ngase “Gjomarkajt” dalin në dokumentacione vetëm në shek. XVIII dhe jo më përpara, por po të shihet pema familjare, do të kuptohet se ky emërtim -Gjomarkaj- merret nga kapedanët me emra Gjon e Mark që shtrihen në atë periudhë.

Sidoqoftë, pas shek. XVIII, të gjitha tezat historike pranojnë se Mirdita është qeverisur si një njësi autonome nën drejtimin e derës së Gjomarkajve; pamvarësisht nëse do u duhej të paguanin taksa në qeveritë e ndryshme të kohës, të shërbenin si mercenarë për ta ruajtur këtë autonomi apo herë-herë të shpërthenin në kryengritje.

I gjithë ky sistem vetëqeverisjeje nisi të shembej pas luftës së dytë botërore.

Bardhok Biba, një pinjoll i derës së Gjomarkajve iu bashkua UNÇL dhe partisë komuniste të kohës, por në këtë mënyrë doli kundra “familjes” që e kishte shkolluar, e kundra ligjeve shekullore me të cilat mirditasit ishin mësuar për të jetuar.

Kjo e ndau Mirditën më dysh.

Disa përqafuan frymën e re që premtonte përmbysjen e sistemit, barazinë sociale, shkollimim ë zhdukjen e analfabetizmit që ishte diku në 98% të popullsisë, Drejtësinë, ngritjen ekonomike, e të mira e ideale që, siq u mësua më pas, mbetën të gjysmëpërfunduara apo vetëm si premtime në letër.
Disa të tjerë, nisur nga frika për ndryshim, nga faktorë politikë, nga dëshira për të ruajtur pozitat e tyre apo të nxitur nga disa shenja që kishte filluar të dalloheshin nga komunizmi (flas për krimet e përdhunimet e Toger Babës, që pas një ankese të Bardhok Bibës u dënua me varje për krime lufte, por më pas u dekorua hero i popullit në vendin e tij si nga 28.000 dëshmorët e rënë në LNÇL) e kundërshtuan me armë vendosjen e këtij regjimi.

Bardhok Biba nuk pranoi “urdhëresat nga lart” për ta marrë pushtetin me luftë se -siç e thamë- kishte të bënte me luftë brënda llojit, me fisin e tij e me të tjerë që gjithashtu ishin të gjakut të tij. Mirdita ka qënë një krahinë endogame e lidhur me martesa, krushqi e kumbari, ndërmjet fiseve sa e rrallë të gjenden dy banorë që nuk kanë të paktën një lidhje gjaku ndërmjet tyre.

Madje ka patur disa episode ku forcat partizane janë akomoduar si miq për darkë në katin e parë të një kulle, e forcat “komite” në katin e dytë të së njëjtës kullë. Të vjetrit tregojnë se u ka shërbyer i njëjti shërbyes, u rrokte gotat i Zoti i Shtëpisë herë në katin e parë e herë në të dytin, u ka rastisur të presin njëri-tjetrin në radhë për të vajtur në tualetin që në atë kohë gjendej në një tip kolibje në fund të oborrit, etj… Madje tregohet edhe një ngjarje ku Bardhok Biba ka qarë sipër kufomës së kushëririt të tij të vrarë në Përlat, ku i është drejtuar me fjalët “A t’vranë?! A t’kam thanë mos me kalu ktej?!”

Por pajtimi dhe unifikimi prapëseprapë nuk u arrit.

Më 7 Gusht 1949 u vra në rrethana të mistershme deputeti i Mirditës, Bardhok Biba. Ka disa teori se si, kush dhe pse e vranë. Ndue Pjetër Gjomarkaj që pranoi autorsinë e kësaj vrasjeje pas viteve 1990, në fund të jetës së tij, theksojmë se nuk e ka pranuar më përpara këtë; madje në një intervistë të Ndue Mylyshit, që ishte bashkëluftëtar i tij, tregohet se autorësia nuk është pranuar as në Jogusllavi përballë mundësisë për të marrë një azil politik me pranimin e asaj vrasjeje.

Të vjetrit, që janë gjallë ende sot, tregojnë se ditën e vrasjes së Bardhokut, ra “borë e kuqe”, “borë e zezë”, “ra ciklon”, “plasi bagëtia në vathë”, “u nxi qielli në mes të gushtit”, “qau vetë perendia”, pas kësaj vrasjeje. Studiuesit nuk merren shumë me këtë detaj të parëndësishëm në lidhje me rrjedhjen e ngajrjeve, por në botimin e 1983, jetëshkrimi “Bardhok Biba” i autorit Isuf Nelaj, citon se më 7 gusht vrasja ndodhi “pas shiut që kishte rënë” (faqe 136 e librit, kapitulli “7 gusht”).

Pas kësaj vrasjeje, Mehmet Shehu, do të shkruante 100 emra burrash “fajtorë” në defterin e hakmarrjes (vendasit thonë se u përzgjodhën kryefamiljarët e shtëpive më në zë të zonës). Më 17 gusht, 14 emra prej kësaj liste do të egzekutoheshin, 2 me varje e 12 me pushkatim. Duhet theksuar se kur ka munguar autori i pretenduar në vrasjen e 7 gushtit, është marrë dhe vëllai apo kushëriri i tij si i akuzuar, emra tjetër për tjetër, sepse kuptohet, qëllimi duket të ishte nënshtrimi i krahinës dhe jo gjetja e autorëve të vërtetë. Disa prej të pushkatuarve janë varrosur të gjallë, e dëshmitarët e kohës tregojnë se që nga varri u janë lutur që ti qëllojnë edhe një herë se nuk bëhet ky krim kundra Zotit. Po për këtë ditë disa dëshmitarë tregojnë se “qielli u sterros”, “ra borë e zezë”, “perendia qau”.

Tani unë si formim i përkas shkollave të pas 90-ës, dhe pak besoj tek romantizmi ku natyra i përgjigjet ngjarjeve të kohës, dhe pse koiçidencat mund të ndodhin.

E vërteta është se, duke iu referuar vitit 1949, 98% e dëshmitarëve ishin analfabetë. Ai brez na ka treguar “Gurin e Skënderbeut” ku duken gjurmët e kalit të tij kur është hedhur nga Dibra në Mirditë, një version tjetër na e tregojnë se ishte hedhur nga Kruja; ai brez na tregon “Zabelin e Zanave” ku nuk duhet të shkelësh se të shitojnë shtojzovallet; e plot misticizma të tjera që sot pakveta i besojnë.

Si kërkues i së vërtetës, unë ngre disa alternativa se çfarë mund të ketë ndodhur në atë gusht:

Më 7 Gusht
-Ka shumë mundësi që reshjet e shiut të jenë interpretuar si reshje bore në vrasjen e Bardhok Bibës.
-Mundet të ketë rënë vërtetë borë pas reshjeve të shiut, pasi ndodhi vrasja.
-Ngordhjet e kafshëve mund të kenë ndodhur më herët apo më vonë, e i janë faturuar kësaj date.
-Ka ndodhur vërtetë që rastësisht ndonjë bagëti të ketë ngordhur në këtë datë.

Më 17 Gusht
-Mund të ketë rënë vërtetë borë.
-Mund të ketë patur reshje që janë interpretuar si borë.
-Është shumë e besueshme që të vjetrit të kenë marrë reshjet e 7 gushtit dhe ia faturojnë kësaj date, për të treguar padrejtësinë e madhe që ndodhi në këtë masakër.

Kuptohet se ky dataj është fare i parëndësishëm në lidhje me ngjarjet, por vazhdon të përdoret si varg poetik në këngë e poezi që u kushtohen të rënëvë të Gushtit 1949, për të cilin banorët e Mirditës nxorrën shprehjen “ranë kodrat e u ngritën prroskat”.

Share: