Home Approccio Italo Albanese Itali/ Gati një vit karantinë, si po ndikon në shëndetin mendor të...

Itali/ Gati një vit karantinë, si po ndikon në shëndetin mendor të fëmijëve

Në një shkrim të pak ditëve më parë gazeta italiane “La Repubblica” ka ngritur alarmin për rritjen e numrit të përpjekjeve për vetëvrasje te fëmijët. Sipas të dhënave në vitin 2020 u rritën me 30% rastet e fëmijëve që tentonin vetëvrasjen. Ndryshimi i rutinës, koha e gjatë mbyllur në shtëpi, mungesa e shkollës (jo si institucion, por si vend aktivitetesh sociale), koha e gjatë para ekranit janë disa nga arsyet që kanë ndikuar në gjendjen e tyre psikologjie. Por tani që po plotësohet thuajse një vit nga nisja e pandemisë dhe kufizimit social si paraqitet situata? Për çfarë duhet të përgatiten prindërit? Psikoterapistja shqiptare në Itali Albana Loka tregon për “Diaspora Shqiptare” më shumë detaje për ndryshimin e ekulibrave te fëmijët të shkaktuar nga pandemia.

Një shkrim në portalin “La Repubblica” në Itali raportoi pak ditë më parë disa shifra alarmante përsa i përket rasteve të tentativave për vetvrasje nga fëmijët në vitin 2020. Mendoni se shkaktarë ka qenë vetëm izolimi për shkak të COVID-19?

Izolimi për shkak të COVID ka qenë dhe vazhdon të jetë një periudhë e ngarkuar emocionalisht për të gjithë, ka shtuar frikën për shëndetin, punën, paqartësinë për ardhmen e shkurtër, kjo situatë ka shtuar ankthin, pagjumësinë, theksuar depresionin, shtuar varësitë nga alkooli, teknologjia, shopping online etj.. Tek adoleshentët ka bllokuar eksplorimin e botës dhe zhvillimi pavarësisë, tani bota e tyre mbetet ekrani i kompjuterit. Por mendoj që shpesh në të tilla situata nuk është shkaktar vetëm izolimi, funksioni i izolimit është si puna e krëhërit për flokët, zbulon nyjet e tyre. Ose si pika e ujit që bën të derdhet vazo. Mendoj se artikulli i “La Repubblica” i referohet situatave që kanë pasur bazë delikate dhe me izolimin gjendja është përkeqësuar. Mungesa e shkollës ose sportit tek fëmijët dhe adoleshentët ndjehet, por në qoftë se arrihet në veprime të tilla fatale, arsyet janë më të thella.

Pasoja e pandemisë janë evidente tek të gjitha moshat, fëmijët më shumë se frikë nga pasojat e virusit, kanë përjetuar ankth për shkak të ndryshimit të rutinës. Për ju si psikologe sa e rëndësishme është që fëmijët të respektojnë rutinën që i prishi pandemia?

Ka ndikuar në mënyrë negative tek të gjithë, jemi detyruar të qëndrojmë në një situatë jashtë natyrës tonë sociale. Marrëdhëniet me të tjerët janë baza e jetës tonë. Është e vërtetë që fazat e zhvillimit janë të rëndësishme tek fëmijët, por është e vërtetë dhe që fëmijët kanë shumë elasticitet dhe kapacitet për të rimarrë veten më shpejt se të rriturit. Mjafton të kthehen kushtet për një situatë pozitive. Në punën time kam vënë re që shpesh familjet kanë krijuar një rutinë të re, me ekuilibra të tjera familjare.

Edhe pse 2021 pritej me shpesë për të përmirësuar situatën, sërish po ndeshemi me karantinë dhe raste të shtuara. Sa i vështirë do jetë psikologjikisht për fëmijët edhe një periudhë tjetër në karantinë?

Pasojat e karantinës janë aq të forta në bazë dhe të kohëzgjatjes, tani situata i ka lodhur shumë  të gjithë, e rëndësishme është që prindërit të mos humbasin shpresën, sepse dhe thjesht shikimi i tyre ndikon tek fëmijët.

Sa e rëndësishme është jeta sociale për fëmijët?

Është thelbësore për rritjen dhe pjekurinë e fëmijëve. Në këto momente jemi përqendruar tek prioriteti i mbijetesës fizike dhe tani e tutje shpresoj të ketë kujdesje dhe pjesa psikologjike e kësaj situate.

Specifikisht sa të kujdesshëm duhet të jenë prindërit në këto raste?

Prindërve i ka rënë një peshë e madhe dhe janë shpesh të braktisur nga institucionet. Por thuhet që mund të mësojmë nga vuajtja përdryshe e kemi çuar dëm, kjo situatë mund të jetë dhe një mundësi për rritje. Këtë gjë e mësojnë dhe fëmijët duke parë shembullin e prindërve. Sigurisht që i referohem atyre që nuk janë prekur nga humbje familjare apo pune në këtë periudhë.

Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. 

Psikologe, Albana Loka
Share: