Home KRYESORE Aktivitet politik në pandemi, gjobë për Endrit Brahimllarin e LSI

Aktivitet politik në pandemi, gjobë për Endrit Brahimllarin e LSI

Ish-deputeti i LSI-së, Endrit Brahimllari është gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra pasi organizoi një takim politik në Maliq, duke mos respektuar masat antiCOVID.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas konstatimit në rrjetet sociale se përfaqësuesi i një subjekti politik konkretisht shtetasi E. B., kishte organizuar dhe zhvilluar në ambientet e një lokali në qytetin e Maliqit, një aktivitet duke krijuar grumbullime personash në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 2, e kanë ndëshkuar me masën administrative 5.000.000 lekë:, njofton policia.

Gjithashtu është gjobitur me 1.000.000 lekë, shtetasja Z. B., pasi lejoi zhvillimin e aktivitetit në ambientet e lokalit që ajo administron, duke shkelur Aktin Normativ.

Lidhur me këtë situatë vetë Brahimllari është shprehur se nuk është vënë në dijeni zyrtarisht me shkresë për gjobën. Ndërkohë thekson se janë bërë aktivitete politike edhe nga PD dhe PS në Maliq por askush nuk është gjobitur. Ai thotë se ka qenë konform rregullave të pandemisë, pasi të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë me maska./Opinion.al

Share: