Home KRYESORE Ambasadorja Yuri Kim rikujton shpalljen e Doshit “non grata”

Ambasadorja Yuri Kim rikujton shpalljen e Doshit “non grata”

Ish-deputeti socialist, aktualisht kryetar i Partisë Socialdemokrate mund të rezultojë me rëndësi për pushtetin e socialistëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por ambasadorja amerikane Yuri Kim thotë se “Shqiptarët meritojnë më mirë”.

Nga Gjergj Erebara | BIRN

Diplomacia amerikane u rikujtoi shqiptarëve të martën se së paku një nga kandidatët për deputetë të zgjedhjeve të 25 prillit 2021 është shpallur “persona non grata” për “korrupsion madhor” nga SHBA, një tregues ky që përzjerja e krimit me politikën do të jetë fokusi i amerikanëve edhe këto zgjedhje.

“Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky përcaktim publik për korrupsion madhor, i vendosur nga Sekretari i Shtetit i SHBA-ve pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri votuesit e Flag of Albania meritojnë më mirë se kaq”, shkroi ambasadorja Yuri Kim në Tëitter, duke ripostuar njoftimin e Departamentit të Shtetit të 16 prillit 2018. Departamenti e shpalli Doshin “person të padëshirueshëm” duke ndaluar hyrjen e tij dhe të familjes së tij në Shtetet e Bashkuara. Sipas deklaratës, SHBA ka informacion për përfshirjen e Doshit në korrupsion madhor. Doshi nuk është dënuar asnjëherë në Shqipëri për korrupsion.

Kjo është deklarata e katërt e ambasadores Yuri Kim në lidhje me shqetësimin e përfshirjes së elementëve të botës së krimit në zgjedhje.

Tom Doshi është një biznesmen që u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2005 për Partinë Socialiste dhe u rizgjodh nga listat shumëemërore të kësaj partie më 2009 dhe 2013. Në vitin 2015, Edi Rama e përjashtoi Doshin nga Partia Socialiste pasi ky i fundit deklaroi se ishte subjekt i një komploti nga Ilir Meta që synonte ta vriste atë.

Në vitin 2017, Doshi kandidoi për Partinë Socialdemokrate në Shkodër dhe u zgjodh deputet për këtë parti. Por në vitin 2019, gjatë zgjedhjeve për pushtetin vendor, Doshi u shfaq në fushatën elektorale të socialistëve krahas kryeministrit Edi Rama duke sugjeruar afrim politik mes tyre. Sistemi aktual zgjedhor në Shqipëri ka prodhuar në përgjithësi rezultate të ngushta zgjedhore, në të cilat, një deputet mund të përcaktojë shumicën parlamentare. Rrjedhimisht, pavarësisht shpalljes së tij si person i përfshirë në korrupsion madhor, Doshi mund të rezultojë me rëndësi vendimtare për socialistët më 25 prill./BIRN

Share: