Home KRYESORE Blogerja latine që dashuron Durrësin

Blogerja latine që dashuron Durrësin

Nga Gladiola JORBUS

Të qenit bloger/e është një nga trendet më të spikatura të epokës ku jetojmë. Shpeshherë ata janë njerëz të zakonshëm, që kanë njohje me botën e internetit e të rrjeteve sociale, të cilët me videot dhe fotot e tyre arrijnë të kenë një numër të madh ndjekësish në llogaritë përkatëse. Një tjetër dukuri e pashmangshme e globalizmit janë gjithashtu dhe martesat midis njerëzve me origjina të ndryshme.

Të dyja këto kushte i përmbush më së miri Julieth Ibasa, një vajzë meksikane e cila jeton në Durrës, në njërin nga vendbanimet më të hershme të Mesdheut dhe të Gadishullit Ballkanik. Durrësi është një qytet që shquhet për lashtësinë, bregdetin dhe arkeologjinë e tij. Natyrshëm, ai është bërë pjesë e jetës së blogeres meksikane, të martuar me një djalë shqiptar.

Julieth ndihet e apasionuar pas Amfiteatrit, Torrës Veneciane, Muzeut Arkeologjik, Muzeut Etnografik, Mureve Bizantine etj. Bukuroshja latine nga Mexicali kërkon jo vetëm të prekë nga afër historinë mijëravjeçare të qytetit antik, por e ka shndërruar në mënyrë jetese, duke e promovuar në kanalin e saj në Youtube, në videot e saj në Tik Tok dhe në faqen e saj në Instagram. Lumturisht e martuar dhe në pritje të fëmijës së parë, ajo ndan vazhdimisht momente nga jeta e saj në qytetin e Durrësit, në rrjetet sociale.

G – Julieth, si je njohur me bashkëshortin tënd?
J – Krejt rastësisht, gjatë pushimeve. Të dy gjendeshim në Kubë. U pamë, u njohëm dhe magjia ndodhi.
G – Të dashurosh është një akt që ndër të tjera kërkon dhe guxim. E pate të vështirë të lije gjithçka pas për hir të dashurisë?
J – Unë besoj në dashuri dhe vendosa ta ndjek atë. Menjëherë pasi u diplomova (sepse kam studiuar në Mexicali për Nutricion), u nisa për në Shqipëri. Me bashkëshortin tim ndajmë shumë pasione, kryesisht udhëtimin.

Siç e përmenda më sipër jemi njohur në Kubë. Por nuk është vetëm kjo. Ata që më njohin e dinë se nuk do të thoja ‘Po’ kaq lehtë, nëse nuk do të bëhej fjalë për një person të veçantë, pranë të cilit po maturohem dhe po jetoj jetën time. Të dyve na pëlqen të jemi të rrethuar nga njerëz me humor dhe me energji pozitive. Ndiejmë respekt për familjet e njëri-tjetrit, për traditat nga të cilat vijmë dhe kjo është vërtet e rëndësishme.

G – Në llogarinë tënde në Instagram ke postuar foto nga të gjitha vendet që ke vizituar, Durrësi, Thethi, Jugu i Shqipërisë, Monako, Greqia, Italia, Turqia, Japonia, Egjipti, Sllovenia, Meksika etj. Historia juaj e dashurisë ngjan me një love story, gjithmonë në lëvizje. Nuk i keni lënë vend aspak monotonisë në jetën tuaj apo jo?

J – Së bashku me bashkëshortin tim nuk kemi reshtur së vizituari Azinë, Amerikën e Jugut, Shtetet e Bashkuara, Evropën, Ballkanin apo Afrikën e Veriut. Udhëtimet të japin mundësinë të njihesh me lloje të ndryshme kulturash apo mentalitetesh. Vetvetiu, kjo të ndihmon të ndihesh më tolerant dhe mirëkuptues. Aktualisht ritmi im është ndalur pak, për shkak të pandemisë, por ndikon edhe fakti që jam në pritje të ëmbël.

G – Çfarë vlerëson më tepër në vendin tënd (Meksikë) e më pas në Shqipëri?

J – Meksika karakterizohet nga mentaliteti i hapur. Mund të jesh vetvetja pa patur frikë nga paragjykimi. Ndërsa në Shqipëri vlerësoj mikpritjen. Nëse të ftojnë diku, të trajtojnë shumë mirë. Mikpritja është vërtet mbresëlënëse.

G – Ç’ të shqetëson më së shumti në Shqipëri?

J – Mentaliteti paksa i mbyllur. Mundohem të jem e kujdesshme sepse kam frikë, se mos padashje mund të tregoj mungesë respekti apo të keqkuptohem.

G – Përse të pëlqen të jetosh në Durrës? A ke mësuar ndopak shqip?

J – Durrësi është motivues me historinë e tij, reliket arkeologjike, detin Adriatik, klimën dhe mbi të gjitha me faktin se je shumë afër Evropës. Udhëtimet janë kryefjala e jetës sime dhe nga Shqipëria mund të aksesosh lehtësisht në Itali, Kosovë, Mal të Zi, Greqi etj.

Gjithashtu ndiej vërtet krenari kur i rrëfej familjes dhe miqve të mi se jetoj në një qytet bregdetar të Evropës Juglindore, që daton në shekullin VII para Kr.. Përsa i përket komunikimit flas kryesisht anglisht, por ndodh të flas dhe spanjisht me ata që e njohin gjuhën time. Shqip kuptoj pak, por ende nuk e kam mësuar.

G – Ç’ mund të na thuash për qytetin tënd të lindjes? Ç’të mungon më tepër nga ai?

J – Atëherë, unë vij nga Mexicali. Ai është kryeqyteti i shtetit meksikan të Baja California-s. Qyteti im dallon për njerëzit e arsimuar dhe të kualifikuar. Ai është vërtet modern dhe konsiderohet një qendër e rëndësishme ekonomike. Ndihem vërtet krenare për prejardhjen time. Sigurisht që më mungojnë familjarët, miqtë, por nuk mund të lë pa përmendur ushqimin e shijshëm meksikan dhe shtatë qentë e mi të dashur. Këtu kam Sashën, qenushen time, por më merr malli dhe për ata që kam lënë në Mexicali.

G – Kam vënë re se në Instagramin tënd ke një numër të konsiderueshëm ndjekësish. Je një vajzë e re plot stil, gjallëri dhe sharm. Ndër të tjera, ndjekësit e tu mund të shijojnë dhe peizazhet e bukura që ekspozon. Po në blogun tënd Julieth, përveç siteve arkeologjike të Durrësit, ç’tema të tjera ke trajtuar?

J – Në blog e në instagram përshkruaj të pathënat e shtatzënisë, udhëtimet, vijimësinë e një dite të zakonshme nga jeta ime, festat e fundvitit dhe plot gjëra të tjera. Por në spanjisht.

G – Faleminderit dhe gjithë të mirat nga zemra!

J – Faleminderit juve!

Share: