Home KRYESORE Kosova voton sot parlamentin e ri, hapen qendrat e votimeve

Kosova voton sot parlamentin e ri, hapen qendrat e votimeve

Rreth 1 milion e 800 mijë veta kanë të drejtë të hedhin votën e tyre të dielën në Kosovë, ku po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Një mijë e 52 kandidatë të 28 subjekteve politike të të gjitha etnive, synojnë të sigurojnë një ulëse në parlamentin 120 vendësh të Kosovës. Dhjetë nga këto vende i takojnë komunitetit serb, ndërsa dhjetë të tjera, komuniteteve tjera pakicë.

Zgjedhjet pasuan aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e cila në dhjetor të vitit të kaluar shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti, pas kërkesës së lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim për qeverinë e udhëhequr nga Lidhja Demokratike të deputetit Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me 1 vjet e 3 muaj heqje lirie për “mashtrim me subvencione”.

Qeveria e zotit Hoti e miratuar me 3 qershor të vitit 2020, pasoi rrëzimin e qeverisë së ish kryeministrit Albin Kurti me 25 mars.

Votimet e sotme mbahen në kohë pandemie, masat për frenimin e së cilës u zbutën disa ditë para zgjedhjeve, por maskat, distanca fizike dhe grumbullimet e më shumë se 80 perosnave mbeten në fuqi, ndonëse përgjatë fushatës nuk janë respektuar nga partitë politike.

Deri të shtunën Kosova ka regjistruar 64 mijë e 95 raste të të prekurve nga COVID-19, nga pasojat e të cilit kanë humbur jetën 1 mijë e 544 veta.

Pandemia ka çuar në rënie ekonomike dhe pritet të cojë në rritje të shkallës së papunësisë, zvogëlimi i së cilës, bashkë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jenë ndër sfidat kryesore të institucioneve që pritet të dalin nga këto zgjedhje.

Por, edhe formimi i institucioneve mund të jetë sfidë më vete. Asnjë qeveri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj dhe asnjë forcë politike nuk ka arritur të formojë e vetme një qeveri.

Zgjedhjet e sotme duhet të krijojnë mundësinë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, një proces që kërkon mbështetjen e dy të tretave të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.

Për këtë post kandidaturën e kanë shpallur Vjosa Osmani që është në koalicion me lëvizjen Vetëvendosje dhe Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Dështimi për të siguruar zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje të reja.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefat e misioneve të vendeve anëtare të bllokut në Kosovë thanë të shtunën se presin formimin e shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve.

“Kemi besim se presidenti do të zgjidhet shpejt nga parlamenti i ri dhe do të formohet qeveria e re me kohë, në mënyrë që të zbatojë reformat, të luftojë korrupsionin, të forcojë sundimin e ligjit dhe të çojë përpara të ardhmen evropiane të Kosovës, përfshirë vazhdimin e bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në një komunikatë.

Ndonëse përgjatë fushatës para zgjedhjeve partitë politike nuk u kanë kushtuar shumë hapësirë, fituesit do të përballen edhe me sfidat e trashëguara siç janë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, që u shpall nëntë vjet pas përfundimit të luftës në vitin 1999 me ndërhyrjen e NATO-s.

Pavarësia e Kosovës, 13 vjetori i së cilës shënohet të mërkurën, është njohur nga mbi 100 vende të botës. Ditë më parë ajo u njoh edhe nga Izraeli./VOA

Share: