Home Approccio Italo Albanese Romani “Pengu” i autores Klodiana Kadillari vjen në gjuhën italiane me përkthim...

Romani “Pengu” i autores Klodiana Kadillari vjen në gjuhën italiane me përkthim të Mirko Lantieri

Alba Mukja me përshtatjen dhe redaktimin e Francesco Casarelli. Për imazhin e kopertinës ka punuar maestro Giovanni Secchi një nga emrat e njohur Ndërkombëtar. Një ndihmë e madhe ka ardhur edhe nga arbëreshi Agostino Chiaffitella. 

-Një PENG që ka rreth teje shumë emra të bashkpuntorëve të njohur si Giovanni Secchi apo Francesco Casarelli?

Ndihem e lumturuar dhe e bekuar që mbi këtë roman kanë punuar kaq shumë miq ku pa të cilët do e kisha të pamundur botimin në gjuhën italiane. Andaj dëshiroj të falenderoj Alba Mukja dhe Mirko Lantieri të cilët e morën menjëherë përsipër përkthimin e romanit në një kohë ku në Itali sapo kishte nisur të ndihej dhe të prekej në popullatë virusi Covid -19. Dhe gjatë kësaj kohe ku ankthi dhe tensioni ishte i pranishëm në secilën familje dhe po fillonim të adaptoheshim në një tjetër mënyrë jetese vjen i përfunduar Pengu nga Alba Mukja dhe kryesisht nga një punë intensive nga Mirko Lantieri.

Ardhja e këtij përkthimi filloj të ndizte një dritë shprese në mbylljen time mes katër mureve në Italinë e artit dhe të kulturës. Më pas Romani kaloj disa faza të tjera duke u lexuar, rilexuar edhe nga të tjerë miq si Agostino Chiaffitella etj dhe ajo që dua tashmë të falenderoj është puna e shkëlqyer e Francesco Casarelli i cili e mori në dorë romanin dhe punoj mbi të mbi përshtatjen, sjelljen e përmbajtjes pa u ndryshuar mendimi,dhe mund të them se si një filigranistë ka punuar mbi dialogjet dhe personazhet e mi. Ka hyrë në mendimet e mia dhe kemi ecur paralelishtë në dy binarë duke qëndruar në sinkronë të historisë.

Casarelli për mua është personi që i besova historinë time që mund ta krahasoj si një nënë e cila ja beson formiminedukativë të fëmijës dikujt tjetër, pra një tjetër personi në një vend dhe kulturë tjetër. Casarelli ka punuar si një kardiokirurgë në zhbllokimin e arterieve aty ku historia apo dialogjet nuk kishin të njëjtën përshtatje me gjuhën italiane ndaj unë personalisht nuk e quaj përkthim por përshtatje dhe është një ndër elementet e vështirë për të punuar pasi nuk ekziston përkthimi por përshtatje dhe ruajtja e emocioneve dhe e formës. Ndaj e uroj dhe e falenderoj Francescon për këtë ndërhyrje kirurgjikale. Duke qënë një njohës i mirëi Shqipërisë prej viteve ’97 Casarelli e ka patur më të lehtë për të hyrë në historinë e romanit pasi ky roman sjell shqipërinë e pas diktaturës dhe pikërisht vitet e tranzicionit.

Një tjetër emër me të cilin kam bashkpunuar në këtë roman ‘IL RIMORSO’ është artisti i njohur brënda dhe jashtë italisë Giovanni Secchi (Enoch Entronauta) me të cilin kam patur edhe bashkpunime të tjera në fushën e spektakleve dhe teatrit. Por këtë herë Secchit i besova imazhin e kopertinës duke ju përmbajtur historisë dhe mesazhit që sjell romani ku mund të them se jam mjaft e kënaqur për këtë gjetje dhe pasqyrim të asaj që fshihet brënda historisë.

Me Giovanni Secchi gjithmonë jam ndjerë mirë në bashkëpunimet tona pasi është shumë e rëndësishme komunikimi dhe ndarja e ideve. Në art dhe në letërsi sipas meje komunikimi është çelsi i suksesit nëse dimë të komunikojmë dhe dimë se çfarë kërkojmë atëherë gjithçka bëhet më e lehtë dhe më e suksesshme. Dhe këtë herë meqënëse jemi të kufizuar për të bërë promovime për shkak të pandemisë Romani Il Rimorso vjen në Amazon dhe te botaelibrit të cilëve ju kam besuar shpërndarjen brënda dhe jashtë vendit.

-Përse vjen në gjuhën italiane romani juaj i dytë ‘Pengu’?

Pasi një pjesë e mirë e historisë së rrëfyer dhe përshkruar trajtohet dhe zhvillohet në Itali. Dhe jo vetëm kjo por çdo botim në gjuhë të huaja bën të mundur njohjen më mirë të vëndeve dhe të kombeve përmes historisë ku brënda njihen me tradita, kultura, rite, mite, ngjarje reale dhe jo reale por që i përkasin atij vëndi ku për të tjerët ngjall interes.

Keni guxuar të trajtoni edhe një pjesë të rracizmit, mënyra sesi i kanë trajtuar shqiptarët vendi fqinjë Greqia, apo sesi janë shitur vajzat shqiptare nëpër  Itali apo si i quan ju ’‘Virgjëreshat e heshtura’’ ?

Kam guxuar pasi kam parë në jetën reale të jetuar nga familjarë, miq, histori të meshkujve shqiptarë që janë rrahur në mënyrën më barbare nga ushtria greke në tentativë për të kaluar kufirin dhe për të përmirësuar jetën. Janë diskriminuar shumë emra intelektualë, janë fyer egot e shqiptarëve derisa të detyruar kanë ndërruar edhe identitetet. Po e vërtetë romani quhet  Pengu ose Il Rimorso në gjuhën italiane pasi nuk kam dashur të mbetem peng i vetvetes duke e mbajtur të fshehur historitë dramatike dhe tragjike që kaloj vëndi im mbas rënies së komunizmit ku ëndërra për liri dhe për tu larguar nga vëndi pati edhe pasojat e veta ku një ndër pasojat që sot përkthehet në trauma janë prostituimet e vajzave shqiptare të shitura nëpër evropë. 

-Përse ky peng kaq i madh për të treguar a ka të bëj me ndjeshmërinë që e trashëgoni si artiste pasi romani flet  sesi xhaxhai në një lloj mënyre e marton mbesën e tij Siborën tek një vrasës – trafikant vetëm për të shlyer borxhin që e ka marr për të blerë tokën?…

Fakti se jam artiste ma ka lehtësuar imagjinatën dhe ndjeshmërinë në krijimin e dialogjeve, në njohjen e personazheve, në zbërthimet psiko-analitike, deri te bota e brëndëshme e personazheve të mi. Dhe nga kjo ndjeshmëri si femër dhe si artiste lindën personazhet femra dhe në këtë rast i referohem Siborës vajzës që u shit tek huadhënësi Bujari vetëm për të paguar shumën e mbetur të të hollave. Dhe kjo erdhi sepse xhaxhai i detyruar nga kushtet ekonomike dhe shëndetësore të pranonte paktin me huadhënësin dhe pa e ditur se ai do e trafikonte në Itali. Pra një ‘Peng’ i pamenduar mbi pasojat që do të vinin më pas në hitorinë e romanit. Figura e xhaxhait është ajo që zëvëndëson figurën autoritare të babait dhe njëherazi ka të njëjtën dashuri dhe sensibilitet sikurse një baba ndjen për vajzën e vet. Këtu personazhi im për të qënë e qartë me lexuesit ja e jep ose e marton mbesën e tij një trafikanti pa e ditur se çfarë fshihej mbas dhëndrit dhe e vetmja përgjegjësi që mban xhaxhai është se çdo femër është në jetë me një vullnet ku duhen marr në konsideratë vendimet e saj dhe aq më tepër ndjenjat sado e paformuar të jetë në aspektin e formimit social, intelektual.

Këtu si autore bëj apel se secila femër ka të drejtën e zgjedhjes dhe marrjes së vendimeve qofshin edhe të gabuara pasi jeta ka të papriturat e saj por ajo që unë kërkoj se nëse një femër rrëzohet le të dij të ngrihet me forcat e veta. Gjithsesi ajo pse ky roman vjen në gjuhën italiane është për të kuptuar dhe për të njohur më mirë realitetin tonë shqiptar nëpër çfarë sfidash dhe persekutimesh ka kaluar vendi im dhe shoqëria shqiptare. E lehtë është të paragjykosh por të vendosësh dorën mbi plagë atëherë kupton sesa dhëmb ajo plagë.

Romani vazhdon ku i biri vret në fund të atin, njësoj si te tragjedia e Euripidit! Përse kjo vrasje?

Në fakt këtu i jam referuar kompleksit të Edipit ku i biri vret babain jo për të shkuar në shtratë më nënën por është një hakmarrje mbi atë që i ati i tij kishte bërë duke i vuajtur pasojat i biri mbas vdekjes së nënës së tij e gjykuar si e nëmura pasi kishte sjell në jetë fëmijën e saj nga një lidhje jashtë martesore por brënda familjes ku ishte e martuar. Pra këtu vrasja vjen si ndëshkim dhe si moral për përdhosjen e figurës së një nëne dhe si diskriminim sepse nga kjo martesë kishte lindur një djalë ‘Kopil’ Megjithatë unë si autore e solla këtë vrasje edhe si një kauzë të fortë se shpagimit nuk i fshihesh dot kudo të shkosh pasi vdekja e grave të vrara dhe dhuna e tyre ngr zë edhe në fund të tokës dhe të ndjek si një orakull që ndjek busullën e tij derisa të kryhet profecia.

Romani mbyllet me një dialog shumë të fortë mes një bije prostitutë – dhe një nëne që e mohon të bijën.Pse në fund vjen ky dialogë ku njëra qëndron brënda shtëpisë dhe tjetra i komunikon botës jashtë?…

Kjo për mua është kulmi dhe tensioni i gjithë romanit edhe pse duket për momentin se brënda një rrëfimi ka shumë histori por që në realitet është thjesht një fill që i lidh të gjitha nyjet e historisë. Ky dialogë kaq i fortë dhe shumë i prekshëm që vendos përballë njëra-tjetrës nënë e bijë ka ardhur për pasojë sepse etja për pushtet ka çuar te kompromiset jo humane por për dallim kemi dy paralele një familje intelektuale që e marton vajzën me djalin e një prej pinjollëve të politikës dhe nga ana tjetër një xhaxha që vjen nga diktatura dhe i shkatërruar psikologjikisht dhe ekonomikisht martonë të bijën për të shlyer një borxh për mbijetesë.

Pra dy martesa me dy trafikantë pa marr parasysh çfarë statusi social kanë pasi në fund të gjithë historisë kemi të bëjmë me dy bija që vijnë të shitura si trafikim i qënijeve njerëzore në Itali. Ku Aida në dallim nga Sibora e gjen forcën të përballet me nënën e saj duke e bërë bashkëfajtore për gjëndjen e saj dhe ndihet si një pemë e kalbur që nga rrënjët e saj. Dhe kthehet në familjen e saj për të qënë e pranuar ashtu si është me të gjitha traumat, vuajtjet, persekutimet edhe me të gjithë peshën e dramës që do e shoqëroj për gjithë jetën. Por dera e pragut të shtëpisë ku u rrit nuk i hapet pasi ajo tashmë është një vajzë e shthurur dhe e shitur që nuk i përket më një familje me ego pushteti dhe aspak humane.  

Share: