Home KRYESORE Veliaj në Kavajë: Qarku i Tiranës, lokomotiva e fitores. Ata ‘përça e...

Veliaj në Kavajë: Qarku i Tiranës, lokomotiva e fitores. Ata ‘përça e sundo’ ne ‘bashko dhe përqafo’

“Kavaja nuk është kosh riciklimi për asnjë forcë politike”. Kështu ka deklaruar gjatë një takimi me qytetarë të Kavajës drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se emrat që PD dhe LSI kanë sjellë për të përfaqësuar këtë qytet në parlament janë sot një fyerje dhe tallje e madhe.

“Ne po ju sjellim një kandidat, një super djalë që ka mbaruar në “Harvard”. Kë sjellin ata në Kavajë?! Kanë sjellë dy njerëz që kanë humbur çdo betejë. Gridën, që regjistroi humbjen më të madhe të PD në Durrës, por dhe humbjen më të madhe historike në Tiranë, në Njësinë 1. Pra, po i thonë Kavajës, çfarë hedh tutje Durrësi dhe Tirana, t’i ricikloni ju. Pala tjetër e ka bërë fyerjen akoma më të madhe: sjellin Petrit Vasilin, ministrin më të mbaruar të Shëndetësisë. Ju kujtohet kur shkonin njerëzit me batanije dhe secili e merrte vetë shishen e serumit me gjithë age, tub, dhe shkonte në spital? Ky ka qenë rezultati më i dobët në Tiranë, e sjellin këtu se mendojnë se Kavaja është e dorës së dytë. Mendojnë se në Kavajë mund të riciklohet çdo lloj vjetërsie e sënduqeve të 30 viteve të fundit në politikë. Unë besoj se është fyerje për Kavajën kur ti sjell dy vjetërsira që kanë humbur çdo betejë tjetër dhe do t’i riciklosh në Kavajë. Kavaja nuk është kosh riciklimi për asnjë forcë,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj shprehu bindjen se Kavaja, Rrogozhina, gjithë qarku i Tiranës do të jetë lokomotiva e fitores për Partinë Socialiste në të gjithë Shqipërinë, ndaj përkundër politikës së partive të tjera përça dhe sundo, motoja e socialistëve, tha ai, është bashko dhe përqafo.

“Politika përça dhe sundo, e shfrytëzoi Saliu me Ilir Metën 30 vjet dhe u funksionoi. Na vunë kundër njëri-tjetrit, të majtë e të djathtë. Ndërkohë ata, njëri i djathtë, tjetri i majtë, kanë bërë lojë të dy. U interesonte që të përçaheshin njerëzit, veriorë me jugorë, vendalinj me të ardhur. Por, ajo që funksionon sot është bashko dhe përqafo. Kjo është motoja e jonë. Jam i bindur që Kavaja, jo vetëm 55%, sa thonë sondazhet, po edhe më mirë do dalë. Rrogozhina, jo vetëm 55%, por edhe më mirë. I gjithë qarku ynë, jam i sigurt që do jetë lokomotiva e fitores për PS-në,” deklaroi Veliaj.

Top Channel

Share: