Home KRYESORE A është termi best seller një detektor i saktë letrar?

A është termi best seller një detektor i saktë letrar?

Nga Gladiola Jorbus

Librat janë një trashëgimi letrare, artistike, filozofike, historike dhe shkencore e pavdekshme. Aty pasqyrohet gjithçka që nga kultura dhe historia e qytetërimeve, arritjet shkencore deri te ndryshimet epokale.

Teknologjia e përparuar i ngjet një rrebeshi që nuk ndalet. Por as letërsia nuk mbetet pas. Nga njëra anë qëndron nostalgjia për aromën e fletëve, nga ana tjetër qëndrojnë librat në format elektronik. Teksa roli i lexuesve mbetet gjithnjë i njëjti: të mbajnë gjallë romanet plot vlera që kanë shenjuar shekujt.

Por a është termi best seller një detektor i saktë letrar? Sipas kuptimit etimologjik do të thotë libri apo titulli më i shitur, mbështetur në rrethanat apo trendin më të fundit të aktualitetit historik.

Shpeshherë, romanet best seller janë libra të lehtë, edhe pse shumëfaqësh, me dialogë linearë e subjekte të thjeshta, të cilët konsumohen shpejt nga audienca.

Po, a janë këta libra të qëndrueshëm në kohë apo thjesht i shërbejnë stinës së limontisë ?!

Një bestseller duhet të ofrojë mendimin kritik, zhvillimin personal apo projeksionin empatik, pa harruar përmasat fantastike që karakterizojnë historitë e përditshme, me të gjithë dramacitetin e jetës, por duke e modifikuar atë.

Po t’i referohemi statistikave, librat best seller të të gjitha kohërave do të cilësoheshin ‘Bibla’, ‘Don Kishoti i Mançës’ apo ‘Kodi i Da Vinçit’.

Romanet që lexohen ‘me vështirësi’, të mbeten në kujtesë dhe të lënë mbresa, krahasuar me ata që konsiderohen ‘të lehtë apo argëtues’, edhe për faktin që këta të fundit, shpeshherë harrohen brenda pak muajsh.

Por nuk është shkalla e vështirësisë së leximit, ajo që përcakton një libër të mirë. Është emocioni që lë pas, thellësia e mendimit dhe efekti që shkakton.

Jo gjithnjë përkojnë, autorët më të spikatur, me librat më mbresëlënës të planetit apo me titujt më të shitur, pasi ndihet një lloj kontradikte. Kritikët letrarë dhe lexuesit e apasionuar konservojnë mendime të ndryshme mbi ‘romanin më madhështor’.

Nëse është një roman me gjuhë figurative të pasur? Apo përshkohet nga nota të fuqishme realizmi? Ndoshta një roman, me një ndikim të madh shoqëror? Le të sjellim disa shembuj.

Disa nga autorët nobelistë janë: Sully Prudhomme, Theodor Mommsen, Carl Gustaf Verner von Heidenstam, Grazia Deledda, Imre Kertész etj.

Disa nga titujt më të shitur: ‘Zoti i unazave’, ‘Alkimisti’, ‘Princi I vogël’, ‘Herri Poter dhe guri filozofal’, ‘Mësuesi dhe Margarita’, etj.
Disa nga librat më mbresëlënës të të gjitha kohërave: ‘Ana Karenina’, ‘Getsbi i madh’, ‘Njëqind vjet vetmi’, ‘Don Kishoti’, ‘Një pasazh në Indi’ etj.

Pra në thelb, një libër i mirë është më shumë se sa një histori e shkruar bukur. Një libër i mirë mbetet një thesar për shoqërinë bashkëkohore, në secilën faqe të tij ka diçka të re për të zbuluar.

E vërtetë që ekspertët si shkrimtarë, sociologë, historianë, kritikë dhe të tjerë, me një prirje të spikatur për të analizuar tekstet letrare, janë personat e kualifikuar për të përzgjedhur librat më të vyer.

Por kurrsesi, nuk duhet nënvlerësuar dhe opinioni i lexuesve të thjeshtë, të cilët kanë ëndërruar e janë emocionuar falë tij, sepse libri konsiderohet dimensioni më i lartë shpirtëror i njerëzimit.

Share: