Home KRYESORE Astrid Lindgren – ana tjetër e shkrimtares që ndryshoi ligjet e një...

Astrid Lindgren – ana tjetër e shkrimtares që ndryshoi ligjet e një mbretërie

Nga Gladiola Jorbus

Ndonjëherë shoqëria përzgjedh dhe standardizon një kulturë të dorës së dytë duke u mjaftuar me analizat sipërfaqësore, mediokritetin, retorikën boshe dhe llomotitjet e kota. Po intelektualët e vërtetë ku janë ?!

Roli i tyre është kyç në sugjerimin apo prodhimin e ideve që i shërbejnë progresit social. Ata janë mendimi dhe zëri ndryshe që trondisin mendësitë, qeveritë dhe frymëzojnë ndryshimin pozitiv. Bota njeh dhe promovon të tillë shembuj që influencën e tyre e shndërruan në ‘armë’ kundër padrejtësive.

Shkrimtarja suedeze Astrid Lindgren është modeli që mishëron funksionin e një intelektuali në shoqëri. Ajo renditet ndër tetëmbëdhjetë shkrimtarët më të përkthyer në botë, dhe cilësohet si njëra ndër katër autorët më të përkthyer për fëmijë pas Enid Blyton, Hans Kristian Andersen dhe Vëllezërve Grim. Ndër frazat e saj më goditëse mund të përmendim: ‘Nëse kam arritur të ndriçoj qoftë edhe një fëmijëri të zymtë – atëherë jam e kënaqur’.

Përveç këtyre meritave e vlerësimeve, ajo ishte një udhëheqëse e opinionit, së cilës njerëzit ia vinin veshin. Lindgren u sendërtua në një zë të fuqishëm politik në shoqërinë e saj. Fliste me zemër dhe argumentonte me logjikë. Gjatë gjithë jetës së saj, ajo reagoi vazhdimisht ndaj padrejtësive dhe tiranisë.

Në vitin 1976, ajo botoi një artikull në gazetën ‘Expressen’ në lidhje me sistemin suedez të taksave, meqenëse si një shkrimtare e vetëpunësuar, asaj i duhej të paguante 102 përqind taksë mbi të ardhurat. Në artikull, Astrid Lindgren drejtoi një sulm të ashpër ndaj qeverisë social demokrate, politikës së saj të taksave dhe plotësisë së pushtetit që kishte partia qeverisëse.

Artikulli alegoriko – satirik i Lindgrenit pati një impakt të menjëhershëm. Ai titullohej ‘Pomperipossa në Monismani’dhe ishte një sulm direkt mbi qeverinë dhe politikat e saj të taksimit. Debati i stuhishëm çoi në ndryshimin e ligjit të taksave. Ministri i financave i kohës Gunnar Sträng dha dorëheqjen, akuzoi nga foltorja e parlamentit Lindgrenin për ‘injorancë të thellë’ duke e ironizuar se si rrëfimtare, ajo nuk e kuptonte dot ligjin tatimor. Lindgren iu përgjigj në radio se ‘Sträng mund të tregojë përralla, por nuk ka mësuar të numërojë” dhe sugjeroi që të ndërronin vendet e punës’.

Përpjekja e ministrit të financave për të nënçmuar aftësitë në kontabilitet të Astrid Lindgrenit, dha një efekt të kundërt, aq sa ndoshta kontribuoi në humbjen e qeverisjes së socialdemokratëve në zgjedhjet kombëtare, disa javë më vonë.

Edhe pse shkrimtarja nuk kishte ndër mend të provokonte një revolucion, feedback-u i shkrimit të saj mund të konsiderohet i tillë.
Angazhimi i suedezes së shquar për të drejtat e fëmijëve u themelua që herët. Një tjetër ligj i frymëzuar prej saj është ai i ndalimit të rrahjes së fëmijëve në vitin 1979. Gjatë fjalimit në Peace Prize of the German Book Trade, më 1978, A. Lindgren shprehu pikëpamjen e saj në çështjen e dhunës ndaj fëmijëve. Fituesja e çmimit gjerman të paqes shfrytëzonte çdo mundësi për të kritikuar edukimin shtypës. Ajo denoncoi brutalitetin e ndëshkimit trupor.

Fjalimi i saj ‘Kurrë Dhunë!’ (Aldrig våld) frymëzoi reformën legjislative suedeze që ndalonte ndëshkimin fizik ndaj fëmijëve. Deri më atëherë nuk ekzistonte një ligj i tillë askund në botë. Suedia ishte vendi i parë që e implementoi.

Shkrimtarja e shquar prirej nga dëshira për të mbrojtur të pafuqishmin nga pushteti i të fuqishmit. Dhembshuria e saj mbërriti deri te kafshët, duke u bërë kështu avokate e parandalimit të mizorisë ndaj tyre. Në maj të vitit 1983, Astrid Lindgren ndezi një debat mediatik që synonte mbrojtjen e kafshëve. Fushata e saj nxiti opinionin publik dhe ndikoi qeverinë të shpallte ligjin për mirëqenien e kafshëve që njihet si ‘Lex Lindgren’.

Ajo kërkohej dhe intervistohej vazhdimisht nga gazetarët, në lidhje me çdo temë ‘që nga kujdesi dentar deri te paqja në botë’, shprehet Lena Törnqvist, specialiste dhe përgjegjëse e arkivit të Astrid Lindgren në Bibliotekën Kombëtare të Suedisë (Kungliga biblioteket).

Për shumicën e deklaratave politike të shkrimtares, shërbente si impuls, posta që merrte çdo ditë. Koleksioni i Bibliotekës Mbretërore Suedeze me letrat drejtuar Astrid Lindgrenit, përfshin rreth 125 metra hapësirë.

Madje njerëzit ishin të interesuar të njihnin dhe këndvështrimin e autores mbi luftën e talibanëve në Afganistan. Midis postës së saj, gjendet edhe lutja për të parandaluar shkatërrimin e një kafeneje punk-rock në jug të Stokholmit.

Paragrafi i fundit i letrës përfundon me fjalët: ‘Qeveria dëshiron të shkatërrojë kafenenë tonë fantastike për të vazhduar ndërtimin e ëndrrës së çimentos. Ne kundërshtojmë dhe luftojmë kundër kësaj, me kokëfortësinë që kemi mësuar nga Pipi Çorapegjata. Eja, bashkohu me ne dhe na mbështet ! ‘.

Në të vërtetë, shkrimtarja Lindgren reflektonte një ndikim kaq të madh në opinion publik suedez, sa që anëtarësimin e Suedisë në BE (të cilin ajo e kundërshtonte), shtypi pro BE vendosi të mos e diskutonte me të. Nisur nga përvojat e mëparshme, nëse do t’i jepnin më shumë hapësirë, ndikimi i saj mund të afektonte seriozisht çështjen.

Një tjetër thënie e rëndësishme që kemi trashëguar prej saj është: ‘Mendova se e dinit, që nuk më pëlqejnë ndarjet e njerëzve sipas kombeve dhe racave, asnjë lloj diskriminimi midis të bardhëve dhe të zinjve, midis arianëve dhe hebrenjve, midis turqve dhe suedezëve, midis burrave dhe grave’.

Intelekti, arsyetimi i shëndoshë, të folurit e drejtpërdrejtë dhe përkushtimi ishin cilësi që e bënë Astrid Lindgrenin një zë potencial që jehoi në Suedi e më gjerë.

Share: