Home KRYESORE Ka kaluar një vit nga dita kur OBSH shpalli pandeminë prej koronavirusit

Ka kaluar një vit nga dita kur OBSH shpalli pandeminë prej koronavirusit

Ka kaluar një vit nga dita kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin e ri një pandemi globale. Më 11 marsin e 2020, në një konferencë për mediat drejtuesi i përgjithshëm i OBSH, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi që ajo që po ndodhte nuk ishte vetëm një krizë shëndetësore, por diçka më e madhe.

“Kjo nuk është thjesht një krizë e shëndetit publik, është një krizë që do të prekë çdo sektor. Kështu që, çdo sektor dhe çdo individ duhet të jetë i përfshirë në luftën ndaj virusit.”

Virusi SARS-CoV-2 për herë të parë u identifikua në dhjetor 2019 në Wuhan, por sesi kaloi nga bota e egër tek njeriu, dhe se cila kafshë mundë të ketë qenë bartëse, ende nuk është gjetur, edhe pas dy hetimeve të kryera nga OBSH në vendin e “lindjes” së virusit. Të paktën në fillim, shumica e rasteve u regjistruan brenda Kinës dhe midis njerëzve që kishin udhëtuar atje, si dhe kontakteve të ngushta të udhëtarëve.

Tashmë, në një vit pandemi, bota numëron 118,7 milionë të infektuar, 94,3 milionë të shëruar dhe 2,6 milionë raste fatale. Katër shtetet me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara janë SHBA, Indi, Brazil e Rusi.

Veç koronavirusit “origjinal” në botë po qarkullojnë edhe disa variante të reja, që përhapen më shpejt apo janë edhe më vdekjeprurëse. Mutacionet janë identifikuar fillimisht në Britaninë e Madhe, Afrikën e Jugut dhe një në Brazil.

Sa i përket Shqipërisë, që nga fillimi i pandemisë e deri më sot numërohen zyrtarisht 114,840 të infektuar dhe 1,986 raste fatale. Ashtu si në thuajse gjithë vendet e botës, ekonomia mori një goditje të rendë, ndërsa sipas INSTAT, në 2020-n humbën jetën rreth 5,700 shqiptarë më shumë se vitin e mëparshëm.

Shpallja e një pandemie është diçka që ndodh rrallë. Sindroma e Rëndë Akute Respiratore (SARS), një koronavirus i “afërm” me COVID-19, që infektoi rreth 8,000 njerëz në 26 vende në vitin 2003, nuk arriti statusin e pandemisë për shembull.

OBSH e përdori këtë term për herë të fundit etiketën gjatë përhapjes së gripit të derrit H1N1 në vitin 2009, por u përball me kritika. Kritikët argumentuan se situata nuk ishte aq serioze sa të garantonte shpalljen e një pandemie dhe shpallja shkaktoi panik dhe masa paraprake të panevojshme. sb/abcnews.al/

Share: