Home Gjeo-Ekonomia “Kriza është krijuar nga politikat presidenciale të kësaj administrate të re”/ Shtimi...

“Kriza është krijuar nga politikat presidenciale të kësaj administrate të re”/ Shtimi i imgrantëve në kufi rindez debatet në Uashington

Mijëra fëmijë të pashoqëruar që kalojnë kufirin nga Meksika për në Shtetet e Bashkuara kanë bërë që në Uashington të rihapet debati për imigracionin, i cili po përplas republikanët dhe demokratët se kush është fajtor për atë që të dyja palët e përshkruajnë si krizë.

Udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy kryesoi të hënën një grup ligjvënësish republikanë për në zonën e kufirit, duke dënuar politikat e Presidentit demokrat Joe Biden, që ai tha se ia kanë hapur plotësisht kufirin imigracionit të paligjshëm.

Siguria e vendit dhe e kufirit tonë është para së gjithash përgjegjësi e presidentit tonë,” u tha zoti McCarthy gazetarëve në El Paso të Teksasit, në kufirin me Meksikën. “Nuk duhej të ndodhte. Kjo krizë është krijuar nga politikat presidenciale të kësaj administrate të re. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta karakterizuar atë përveçse si një krizë kufitare të Bidenit.”

Me të marrë detyrën në janar, Presidenti Biden ndali ndërtimin e murit kufitar të mbështetur nga ish Presidenti Donald Trump dhe ka zbatuar ato që ai i quan janë politika më humane të imigracionit.

Administrata Biden nuk e ka quajtur krizë fluksin e migrantëve, përfshirë rreth 30,000 fëmijë të pashoqëruar vetëm në shkurt. Ajo thjesht e quan këtë një sfidë.

Por zoti Biden dhe ndihmësit e tij janë detyruar të marrin masa për të penguar mijëra emigrantë të varfër të Guatemalës, Hondurasit dhe Salvadorit, të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme përmes Meksikës për atë që ata besojnë se do të jetë një jetë më e sigurt dhe më e begatë në Shtetet e Bashkuara.

FEMA, në ndihmë

Gjatë fundjavës, Departamenti i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara tha se për 90 ditët e ardhshme, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) do të ndihmojë në trajtimin e numrit të madh të fëmijëve migrantë të pashoqëruar.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë që fëmijët e pashoqëruar t’i transferohen Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) sa më shpejt që të jetë e mundur, në përputhje me kërkesat ligjore dhe në interesin e fëmijëve,” tha sekretari i Sigurisë së Brendshme, Alejandro Mayorkas në një deklaratë.

Fëmijët po mbahen në mjedise të improvizuara në kufi – tashmë me kapacitet 94% – para se të mund të dërgohen tek të afërmit që jetojnë tashmë në SHBA, ose në familjet e gatshme për t’u kujdesur ose për t’i birësuar ata.

Të dielën, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi u tha gazetarëve se “administrata Biden po përpiqet të rregullojë sistemin e prishur që u ishte lënë atyre nga administrata Trump.” Administrata Biden, tha ajo, “do të ketë një sistem të bazuar në parimin që të bëhet puna më e mirë e mundshme, duke e kuptuar se kjo është një krizë humanitare.”

Zoti Trump, nga ana e tij, shprehu mendimet e tij për emigracionin në Konferencën e Veprimit Politik Konservator, të mbajtur kohët e fundit, duke thënë se zoti Biden “dëshiron që e gjitha të shkojë në ferr”.

“Kur unë u largova nga detyra vetëm gjashtë javë më parë, ne kishim krijuar kufirin më të sigurt në historinë e SHBA”, tha zoti Trump, duke mos e përmendur numrin në rritje të kalimeve të paligjshme gjatë muajve të tij të fundit në detyrë.

“Administratës së re iu deshën vetëm disa javë për ta kthyer këtë arritje të paparë në një katastrofë të vetë-shkaktuar humanitare dhe të sigurisë kombëtare duke eleminuar në mënyrë të pakujdesshme kufirin tonë, masat e sigurisë, kontrollet, të gjitha gjërat që kemi vendosur”, tha ai.

McCarthy kërkon takim

Në fillim të marsit, zoti McCarthy i kërkoi Presidentit Biden një takim mbi imigracionin në kufi, duke thënë se ai ndjehej “i detyruar të shprehte shqetësim të madh për mënyrën me të cilën administrata juaj po i qaset kësaj krize, por me shpresë se ne mund të punojmë së bashku për ta zgjidhur atë”.

McCarthy tha se nuk kishte marrë përgjigje nga presidenti.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, hodhi poshtë pohimin e republikanëve se administrata e re ka miratuar politikën për “një kufi të hapur”.

“Kjo është absolutisht e pasaktë,” tha ajo javën e kaluar. “Kufiri nuk është i hapur.”

Roberta Jacobson, koordinatore e Shtëpisë së Bardhë për kufirin jugor, pranoi javën e kaluar se rritja e numrit të migrantëve mund të kishte ardhur nga besimi se do të ishte më lehtë të hyje në Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Biden.

“Sigurisht, mendoj se ideja e një politike më humane, mund t’i ketë shtyrë njerëzit të marrin atë vendim,” u tha ajo gazetarëve. “Por mbase më e rëndësishmja është se që kjo me siguri i ka shtyrë kontrabandistët të përhapin dezinformim për atë që tani është e mundur.”

Demokratët punojnë për dy plane

Ligjvënësit në Uashington prej vitesh janë në ngërç për politikat e imigracionit. Përveç çështjes së dyndjeve të tanishme në kufi, demokratët e Dhomës së Përfaqësueve këtë javë po përpiqen të avancojnë dy pjesë të legjislacionit për imigracionin.

Njëri projekt parashikon një rrugë drejt shtetësisë për emigrantët pa dokumente që u sollën në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë dhe që nga ajo kohë kanë jetuar aty, kanë ndjekur shkollën dhe kanë punuar.

Dhoma e Përfaqësuesve po shqyrton gjithashtu një projekt ku parashikohet që një punëtor migrant në industrinë bujqësore të mund të fitojë status të përkohshëm për të qëndruar në SHBA me mundësinë përfundimtare për t’u bërë banor i përhershëm (statusi i kartës së gjelbër).

Demokratët i mbështesin fuqimisht të dy projektligjet dhe i miratuan ato në vitin 2019. Por edhe nëse ato miratohen përsëri, fati i tyre në Senatin politikisht të ndarë është i pasigurt, në rastin më të mirë./Voa

Share: