Home KRYESORE Manastirliu zbulon kush do ta bëjë vaksinën ruse Sputnik V

Manastirliu zbulon kush do ta bëjë vaksinën ruse Sputnik V

Ditën e djeshme në vendin tonë mbërritën 10 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkohë sot ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se me këto doza do të vijojë vaksinimi i të moshuarve +80 vjeç, ndërkohë që në ditët në vijim pritet intensifikimi i procesit të vaksinimit.

“Me dozat që erdhën dje do të vijojmë vaksinimin e të moshuarve +80, duke ndjekur planin e vaksinimit. Në tërësi bashkë me dozat e ardhura dje, kemi 90 mijë doza vaksine në total. Ndërkohë që presim që të na vijnë doza të tjera nga Pfizer në ditët e para të prillit. Gjithashtu presim nga Covax edhe një sasi tjetër të AstraZeneca, deri tani kemi një të dhënë për 60 mijë deri në 80 mijë vaksina të AstraZeneca. Dhe po konkludojmë negociatat që kemi hapur përsa i përket edhe fillimit të vaksinimit masiv”, tha Manastirliu.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 48,215 doza të vaksinës ndaj COVID19. Janë kryer 27,872 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7,932 vaksinime për të moshuarit dhe 12,411 vaksinime për arsimtarët. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh./Opinion.al

Share: