Home KRYESORE Motive poetike

Motive poetike

Nga Gladiola JORBUS

Llava e shpirtit
Ndonjëherë do të vuaje çfarëdolloj ndëshkimi
vetëm që të të falnin,
çmimin ndrydhës të dhembjes pavetore,
për fatet që kryqëzohen në të gjithë globin,
Ante dhe Post meridiem.
Një zemër ndryshon nga tjetra…
e kapriçot e dashurisë ëndërriten
në kaosin e fundbotshëm të heshtjes.
Shkel peizazhet virgjërore
që në mijëra ngjyra shpërthejnë
nga zjarri i agimit.
Dhe llava e shpirtit, pandalshëm vrullon
mbi kashelashën e jetës
që vetveten përsërit,
në ciklin rrethor të metempsikozës.


Efekti flutur
Mungesa ime e largët.
Filli i Arianës
valëzohet në duart e tua.
Veç ti mund të më nxjerrësh
nga ky labirinit.
A thua je
si efekti flutur?!
Detaji a vogëlsia që shpirtit
i fal të ëmblat trazira.
Edhe distanca,
ka të sajën magji.
Që ti ndez dhe shuan,
pafund në sytë e mi.
Edhe pse je larg.
Edhe pse,
në botën ku jeton…
Dot unë, s’të mbërrij.


Zonjë e fatit tim
Përtej errësirës dhe goditjeve të fatit,
Përtej kthetrave të dhembjes,
Përtej grackave të zemrës,
Përtej ëndërritjes dhe zhgjëndrrës,
Unë nuk jam dorëzuar.
E pafajshme, si një ujëvarë lotuese,
Nën kërcënimin e humnerave të thepisura.
Mbetem zonjë e fatit tim.
Ai më gjen gjithmonë.
Më pajton,
me të huajën brenda meje.
Dhe kur nata s’ka hënë.
Dhe kur dita s’ka diell.
Dhe kur qielli është gri.
Përtej thëllimit dhe zjarrit.
Përtej frikës kafshuese.
Përtej dëshirave të shpirtit.
Mbetem zonjë e fatit tim.


Si Magelani
Botës,
si Magelani i ke rënë përqark,
për të mbërritur te sytë e mi.
Asgjë nuk zgjat më shumë
se një frymëmarrje.
Jam një shkëndijëz që të
gjithin të djeg e të përndez.
Edhe pse s’jam engjëll,
qiellin të bëj të prekësh.
Të vetmuar,
në faltoren e dëshirave të magjepsura,
po të të ëndërrosh…
Kriptografi
Disa gjëra teprojnë në jetë.
Në të njëjtën mënyrë,
si shumë të tjera nuk mjaftojnë.
U hutova për një çast…
Dhe pezull mbeta tek ti.
Koraca ime,
e tëra u shkërmoq, e tëra…
Jetë rrengshore!
Të humbas e
të rigjej në fshehtësi.
E vetme, zbehem
në këtë kriptografi.

Share: