Home KRYESORE Inshallah me kryq! Bashkëjetesa fetare në shtëpit tona.

Inshallah me kryq! Bashkëjetesa fetare në shtëpit tona.

Nga Elona Caslli

Babai im ishte mysliman. Mamaja ime e krishterë. Kaluan sfida të mëdha për t’u martuar me njëri-tjetrin derisa bindën familjet se dashuria e tyre ishte më e madhe dhe përtej besimit fetar.

Babai falej rregullisht dhe nëna lutej rregullisht. Në shtëpinë time festohej çdo festë fetare. Gjyshi im e kishte ditëlindjen disa herë në vit, ose të paktën kështu na thonin ne fëmijëve të shtëpisë teksa mblidheshin për të festuar Pashkët ose Bajramin.

Teksa pyesja pse ishim mbledhur merrja gjithmonë të njëjtën përgjigje- Ka gjyshi ditëlindjen. Isha fëmijë dhe nuk e kuptoja pse unë e kisha ditëlindjen një herë në vit, ndërsa gjyshi e kishte disa herë në vit. Pyesja nënën dhe ajo më përgjigjej- Kështu e kanë gjyshërit.

E kuptoja se diçka nuk shkonte, por nuk arrija të kuptoja se çfarë. Me kalimin e viteve kuptova se ditëlindja e shumëfishtë e gjyshit në diktaturë nuk ishte veçse një festë fetare që nuk mund të thuhej me zë të lartë në sy të fëmijëve ngaqë këta të fundit mund të kishin një sinqeritet të dëmshëm jashtë shtëpisë.

Gjyshi kishte ditëlindjen kur ishin Pashkët dhe hallat e mia myslimane vinin të uronin nënën time.
Gjyshi kishte ditëlindjen kur ishte Bajram dhe nëna ime ftonte për drekë hallat e mia.
Në ditëlindjen e gjyshit ishim të gjithë bashkë.

Pas viteve 1990, kur njerëzit nuk luteshin fshehurazi dhe mund të shqiptonin fjalën Zot, hyra në fakultet. Sa herë që kisha një provim dhe isha gati për të dalë nga shtëpia im atë më thoshte- Mbarë e mirë bir. Inshallah po të shkon mirë.
Mandej nëna thoshte; Bëje kryqin para se të dalësh.

Dhe unë gjendesha në derën e shtëpisë sime duke bërë kryqin dhe duke thënë inshallah.

Dy besimet fetare kanë bashkëjetuar më miri në shtëpinë time pa cënuar në asnjë çast njëri- tjetrin dhe pa iu imponuar në asnjë çast njëri- tjetrit.

Hallat e mia vazhdojnë ende të vizitojnë nënën time për Pashkë dhe nëna ime feston bashkë me to për Bajram.

Dhe unë jam ende një burrë që bën një inshallah me kryq çdo herë që del nga shtëpia.

Post Scriptum- Kjo është një histori e vërtetë që m’u rrëfye në një mbrëmje miqsh. Unë i kërkova leje personazhit në fjalë për ta rrëfyer pasi m’u duk thellësisht njerëzor mesazhi.

Share: