Home KRYESORE ‘Ishulli i të vdekurve’ – tabloja që hipnotizoi personalitetet e spikatura të...

‘Ishulli i të vdekurve’ – tabloja që hipnotizoi personalitetet e spikatura të shekullit XX

Nga Gladiola Jorbus

Piktori simbolist zviceran Arnold Böcklin është shenjtëruar ndër shekuj në sajë të pikturës së tij më të famshme ‘Ishulli i të Vdekurve’. Kjo tablo daton në vitin 1880. Piktori zviceran ka realizuar pesë versione të kësaj pikture, që aktualisht gjenden në muzetë më prestigjiozë ndërkombëtarë: në ‘Kunstmuseum’ të Zvicrës, në ‘The Metropolitan Museum of Art’ të Shteteve të Bashkuara, në ‘Alte Nationalgalerie’ dhe në ‘Museum der bildenden Künste’ të Gjermanisë.

Versioni i parë i pikturës, i cili ndodhet në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, u krijua në Firence në 1880 me kërkesë të princeshës Marie Berna, e cila pati kërkuar një vepër arti që ta bënte të ëndërronte. Prej pak kohësh ajo kishte humbur të shoqin e saj të ndjerë, Dr. Georg Berna. Versionet e mëvonshme të pikturës janë respektivisht në Bazel, Berlin dhe Laipcig. Varianti i vitit 1884 që ndodhej dikur në Roterdam, u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore.

A. Böcklin (si një simbolist i vërtetë) nuk e shpjegoi kurrë kuptimin e pikturës së tij, ndaj dhe titulli i veprës ‘Ishulli i të vdekurve’ i takon tregtarit të artit Fritz Gurlitt.

Kjo tablo konsiderohet vepra e parapëlqyer e Adolf Hitlerit i cili e admironte pothuajse si një objekt kulti. ‘Ishulli i të vdekurve’ përndezi imagjinatën e tij. Ekziston një foto që dokumenton Hitlerin në shoqërinë e ish – ministrit të jashtëm sovjetik Molotov dhe ish – ministrit të jashtëm gjerman Joachim von Ribbentrop, ku në sfond qëndron tabloja e Arnold Böcklinit, ‘Ishulli i të Vdekurve’.

Piktura magjeps dhe nxit qëllimisht ëndërritjet. Natyra ogurzezë dhe enigmatike e veprës ka hipnotizuar poetë, muzikantë, shkrimtarë dhe burra shteti.

Ajo paraqet një imazh mistik dhe paraqet një vozitës e një figurë të bardhë mbi një varkë të vogël, që kalon një hapësirë të gjerë uji, në drejtim të një ishulli shkëmbor. Objekti i bardhë që shoqëron figurat në anije zakonisht identifikohet si një arkivol, ku ndodhet një shpirt i vdekur së fundmi, në tranzitin e tij drejt jetës së përtejme.

Personazhi i bardhë asociohet me Karontin mitologjik, i cili udhëhiqte shpirtrat në Had, kurse lumi mund të jetë Stiksi ose Akeronti, lumi i vajtimit.

Disa nga elementet thelbësore që janë botuar nga analisti dhe psikologu Lucio della Seta rreth kësaj tabloje janë si më poshtë: ‘… piktori dëshiron të na bëjë të ndiejmë heshtjen, qetësinë e vdekjes dhe gjithashtu, në mënyrën e tij, mbase edhe bukurinë e saj, sepse kjo ishte mënyra e të ndjerit të Böcklinit, kështu që secili prej nesh mund të projektojë në këtë tablo elementet e pavetëdijshme të psikikës së tij në lidhje me problemin e vdekjes, secili në mënyrën e vet, por në një mënyrë të kuptueshme për të gjithë’.

Piktura e famshme u ka rënë në sy personaliteteve si Lenini, Dali, Strindbergu, Zhorzh Klemenso, Frojd, Gabriele D’Annunzio etj, madje vizitorë të ndryshëm kanë rënë pre e Sindromës së Stendalit për shkak të saj.

Poeti dekadent italian D’Annunzio vendosi shumë selvi në kopshtin e vilës së tij pranë liqenit të Gardës, për të rikrijuar atmosferën e pikturës. Shumë intelektualë nordikë kërkuan kopje të pikturës ‘Ishulli i të vdekurve’, pikërisht për të shijuar shpirtin e paqtë dhe misterioz të saj.

Edhe pse kritikët pajtohen se kuptimi i veprës është një impuls krejtësisht subjektiv që del nga pavetëdija e vëzhguesit individual, debatet rreth vendit që e kishte frymëzuar Böcklinin ishin të shumta.

Sipas kritikut të artit Hans Holenweg, si një ndër vendet natyrore më të afërta me atë të pikturës do të mund të ishte ishulli i Shën Gjergjit, një ishull i vogël në gjirin e Kotorrit, në hyrje të bregdetit dalmat të Adriatikut, me një abaci dhe një varrezë të vogël, muret e së cilës të sjellin ndër mend muret shkëmbore të pikturës dhe ku vihet re prania e selvive. Gjithsesi kjo mbetet një alternativë hipotetike.

Thuhet se vetë Böcklini mbeti aq i magjepsur nga krijesa e tij, (piktura ‘Ishulli i të vdekurve’) saqë nuk donte të ndahej prej saj.

Ai përjetoi shumë fatkeqësi. Hija e vdekjes thuri dhembje të pafundme në jetën e tij. E fejuara e parë i vdiq në moshë të re. Më pas, ai u martua në Romë me Angela Rosa Lorenza Pascucci në vitin 1853. Çifti pati katërmbëdhjetë fëmijë, por pesë prej tyre u ndanë nga jeta në fëmijëri dhe tre të tjerë ndërruan jetë para Böcklinit. Ai vetë rrezikoi të vdiste për shkak të tifos që në moshën 32 – vjeçare, edhe pse fati deshi që të rronte edhe katër dekada të tjera në vijim.

Deri më sot nuk ka ndonjë informacion specifikisht të qartë, në lidhje me idenë që e shtyu Arnold Böcklinin t’i jepte jetë kompozimit të shquar mistik; nëse mund të ketë zanafillë onirike, nëse piktori është intriguar nga një imazh realist që e përpunoi apo nëse u nxit nga imagjinata pikëlluese dhe e përvajshme.

Share: